DOSSIER EKSKLUZIV/ Muho Asllani: Rrëzimi i bustit të Enverit, pse Ramizi kishte të drejtë

DOSSIER EKSKLUZIV/ Muho Asllani: Rrëzimi i bustit të Enverit, pse Ramizi kishte të drejtë
Çfarë ndodhi në dhjetor të vitit 1990 dhe në muajt që pasuan. Si u mundua Ramiz Alia të frenonte luftën civile dhe gjakderdhjen. Si dredhonte në mbledhjet e Byrosë Politike dhe urdhri për të çarmatosur policët dhe për të shpërndarë vullnetarët e armatosur. Ngjarjet e Kavajës që çuan në shkarkimin e Muho Asllanit

Ish-anëtari i Byrosë Politike tregon momentet e tensionuara të dhjetorit të vitit 1990 dhe ditëve që vijuan. Si ndodhën trazirat në Kavajë që “morën në qafë” Sekretarin e Parë të Durrësit. Rrëfimi i Muho Asllanit për urdhrat e Ramiz Alisë që ç’tensiononin situatën, por edhe për dredhitë në mbledhjet e forumit më të lartë të partisë. Çfarë mendonin anëtarët e Byrosë Politike për urrejtjen e njerëzve që kishin dalë në rrugë...

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Çfarë qëndrimi mbajtët në ngjarjet e viteve 1990-91, kur ishit ende pjesë e udhëheqjes së partisë-shtet?

Në menaxhimin e ngjarjeve të dhjetorit të vitit 1990 dhe të disa ngjarjeve që pasuan, qëndrimi im ishte në kundërshtim disa herë me atë të Ramiz Alisë. Ndoshta kishte edhe shokë të tjerë të Byrosë Politike që e mendonin si unë, por preferonin të mos i kundërviheshin Ramizit, ndërsa unë flisja hapur. Kështu, kur filloi lëvizja studentore, unë propozova që të mbyllej për universiteti një muaj apo dy, studentët të shpërndaheshin nëpër rrethe dhe të punohej me ta nga komunistët në zonat përkatëse dhe të sistemoheshin në punë të përkohshme. Ramizi nuk bëri zë fillimisht, por u ngritën disa shokë të tjerë dhe thanë se e kisha gabim. “Këtu i kemi nën kontroll, po nëpër rrethe kush do t’i kontrollojë?” unë i thashë se fëmijën tim e kontrolloj. Aty ndërhyri Ramizi dhe tha: Po pse, atje në Shkodër ti kujton se familjarët e tu do t’i kontrollojnë fëmijët? Dhe kështu, propozimi im u hodh poshtë. Më përpara e kisha kundërshtuar Ramiz Alinë për urdhrin për të çarmatosur policët, pas një ngjarjeje që kishte ndodhur në kohën kur u hapën ambasadat dhe një i ri i kishte rrëmbyer pistoletën një polici dhe ndodhi një plagosje. Ramiz Alia dha urdhër të prerë që policia të dilte në shërbim pa pistoleta, por vetëm me shkopinj gome. Më la porosi që të jepja urdhër për prodhimin e shkopinjve të gomës në ndërmarrjen që ndodhej në Durrës. U ngrit i ndjeri Xhemal Dymylja dhe pyeti: Mirë Muho, po ne që nuk kemi ndërmarrje gome, çfarë të bëjmë? “Ju të tjerët prodhoni shkopinj druri”, tha Ramizi. U ngrita prapë unë: “O shoku Ramiz, i thashë, kam kaq kohë në udhëheqje, nuk kam parë ndonjëherë policë të çarmatosur. Polici përfaqëson shtetin, nuk mund të preket”.

Si u përgjigj Ramiz Alia?

“Malësor ke lindur dhe malësor do vdesësh”, tha Ramizi dhe e mbylli mbledhjen.

Një rast tjetër ishte mbledhja e Byrosë Politike, ku u vendos që të mos i hiqej universitetit emri i Enver Hoxhës. Kur kthehem në Durrës, shkoj së pari tek dezhurni në komitetin e partisë dhe e pyes për ndonjë të re. Ai më thotë: “Shoku Muho, po si ja hoqët emrin e shokut Enver Universitetit të Tiranës?” E pyes: Po si ia kanë vënë? –Universiteti Shtetëror i Tiranës, më tha. “Ore, a je në vete? Çfarë janë këto parulla armiqësore që përhap?” M’u përgjigj: Më fal, shoku Muho, ndoshta kam qenë pak i përgjumur, por në radio e dëgjova.

Ngjitem në zyrë dhe marr në telefon Ramiz Alinë: “O shoku Ramiz, po si e vendosëm në mbledhjen e Byrosë Politike?” “Muho, shko fli dhe nesër do mblidhemi prapë e do diskutojmë”. Ndërsa ne kishim marrë vendim dhe kishim dalë nga mbledhja, Ramizi kishte thirrur Llambi Gegpriftin që ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe i kishte dhënë urdhër të hiqej emri i Enver Hoxhës. Kishte njoftuar edhe Marash Hajatin që lajmi të transmetohej në radio dhe televizor. E gjitha kjo në më pak se një orë, llogarit kohën që më është dashur të vij nga Tirana në Durrës.

Një moment tjetër, kam ardhur nga një mbledhje e Byrosë Politike në Tiranë afër mesnatës. Dezhurni më raporton se ishte hequr busti i Enver Hoxhës në hyrje të portit. Marr në telefon kryetarin e degës dhe ma konfirmon. “Po ti, çfarë bëre?” “Nuk bëra gjë”, më thotë.

Mora në telefon Hekuran Isain, Ministrin e Brendshëm. “merr 100-ëshin”, më tha, d.m.th. Ramiz Alinë. Mora Ramizin dhe i kërkova togën e gatshme që të shkoja në vend dhe të rivendosja bustin, që më kishin raportuar se e kishin çuar në një lulishte aty pranë.

Ramizi më tha: “Mos e bëj atë veprim, se do t’i hapësh telashe partisë. A more vesh?” Nuk u përgjigja. “Po të them edhe një herë, a more vesh?”, insistoi Ramizi. “Si urdhëron” i thashë. Por nuk isha i bindur. Duket se Ramizi e ndjeu këtë pasiguri dhe foli prapë: “O Muho, busti prej bronzi është, e hoqën sot, e vëmë prapë nesër, por ndonjë njeri që mund të vdesë aty, nuk i jep dot jetë më, prandaj tregohu i matur”. Dhe kështu dhashë urdhër kryetarit të degës të anuloheshin veprimet që po përgatitnim.

Sot, pas 27 vjetësh, mendoni se kishit të drejtë ju apo Ramiz Alia?

Kishte të drejtë Ramizi. Më ka kritikuar shpesh në këto mbledhje, por edhe atëherë, pasi reflektoja, sërish i kam dhënë të drejtë dhe kam bërë autokritikë. Unë nuk kisha besim të plotë te Ramizi, sepse e konsideroja tepër liberal. Ramizi kishte një profil si filozof dhe çështjet praktike i linte “as mish, as peshk”. Por në ato ditë të stuhishme, metodat e Ramizit na shpëtuan nga lufta civile, na shpëtuan nga gjakderdhja.

Rreziku i përplasjes ishte i madh. Pati një mobilizim të përgjithshëm në atë kohë për të mbrojtur emrin e Enver Hoxhës. Kanë qenë disa kuadro të vjetër nga Malësia e Madhe që mblodhën një brigadë rezervistësh prej 10 apo 15 mijë vetësh dhe njëri prej tyre mori në telefon duke thënë se ishin gati të marshonin për në Tiranë, për të mbrojtur Komitetin Qendror, të mbrojmë Qeverinë dhe nuk lëmë kënd të afrohet. Ramizi dha urdhër të kthenin armët në reparte dhe të shpërndaheshin. U ngritën në Skrapar dhe me një batalion luftarak u nisën drejt Tiranës. Kanë ardhur deri në Lushnjë me armë në dorë. Aty i ka shpërndarë Ramiz Alia. Mjaftojnë këto dy grupe që, po të kishin mbërritur në Tiranë, do të fillonte përleshja e armatosur, lufta civile.

Kiço Mustaqi ka thënë në një intervistë për “Albanian Free Press” se Ramiz Alia ishte dredharak me ushtrinë...

Dredharak ishte, Kiço ka të drejtë në këtë pikë. Kiço Mustaqi kërkonte të vendosej gjendja e jashtëzakonshme në vend. Por ato dredhitë e Ramizit na shpëtuan. Shiko çfarë bënte Ramizi: Thërriste në mbledhje disa sekretarë të parë nga rrethe të ndryshme. Në paradhomë bisedonim se si ishim të vendosur të mbronim partinë, bustin e Enver Hoxhës dhe të godisnim elementin armiqësor. Kur hynim te Ramizi, ai nuk na linte të flisnim, por na shpjegonte me detaje situatën e brendshme dhe të jashtme. Hynim me mendjen tonë dhe dilnim me mendjen e Ramizit.

Ishte një kohë vërtet e dhimbshme. Më dhimbte në shpirt kur shikoja se si shkatërroheshin ndërmarrjet shtetërore. Kishte në disa prej tyre disa makineri që ishin fjala e fundit e teknologjisë dhe që ishin blerë me valutë, si për shembull makineritë metalprerëse të kantierit detar. I kishim sjellë nga Gjermania.

Si ndodhi që ju shkarkuan si Sekretar i Parë i Durrësit?

Ishte pas ngjarjeve të Kavajës. Vij te dezhurni pas një mbledhjeje të Byrosë Politike në Tiranë dhe më njoftojnë për përleshjet në këtë qytet. Më thanë se ishtë goditur sekretari i partisë së Kavajës, ishte therur me thikë një sekretar organizate, një tjetër ka vdekur e plot probleme të tjera. U ngjita menjëherë në zyrë dhe hapa kasafortën. Pistoletën “Makarov” e kisha në brez, por mora edhe një automatik të shkurtër që kisha aty dhe e futa poshtë palltos. Edhe dy granata që kisha në kasafortë i futa në xhep. Lajmëroj shoferin, Moisi Gjika, një djalë i shkëlqyer. Vlonjat shumë trim, por edhe shumë i kujdesshëm. Ai më thotë se në Kavajë kishte shkuar Zylyftar Ramizi. U nisëm me një fuoristradë “Aro”. Para Kavajës na ndaluan ca të rinj. Ata u stepën kur më panë në vend të parë. “Shoku Muho, kemi ca probleme në Kavajë, është më mirë të mos shkoni”, më thanë. “Shkoni more flini gjumë se unë jam nisë për punë të miat u thashë”. Mora vesh se kishin dalë që të mos linin të hynin automjete nga Tiranë brenda qytetit dhe ato që vinin i qëllonin me gurë nga lartësitë e pallateve. Nuk e di si e lajmëruan njëri-tjetrin, por unë hyra dhe askush nuk goditi makinën time. Kalova përmes bulevardit. Të rinjtë që kishin bërë trazirat pas një ndeshjeje në stadium, ishin ngjitur në tarracat e pallateve dhe policia nuk po i zbriste dot. Ca të tjerë kishin marrë automjete të drejtorëve të ndërmarrjeve, ato pak që ishin.

Takova Zylyftar Ramizin dhe më tha se kishte urdhër të shoqëronte gjithë të rinjtë që kishin shkaktuar trazira. I them: “Zylyftar, merr sampistët që ke sjellë dhe kthehu në Tiranë, mos na hap punë këtej. Ata që kanë hipur atje lart, e kanë ndarë mendjen dhe nuk zbresin fort kollaj”. “Do i zbresim ne”, tha ai. “O Zylyftar, a jeton në shtëpi private apo në pallat? A e di se atje ka vetëm një vrimë në tarracë ku ngjitesh me shkallë dhe vetëm një nga një? Si do bësh kur të ngjisësh sampistët dhe t’ua lëshojnë ndonjë levë kokës?” “Kam urdhër” tha Zylyftari. I thashë të merrte atë që i kishte dhënë urdhër dhe ta njoftonte. “Ik nga Kavaja me gjithë sampistët, se të garantoj unë që nuk ju prek kush”, i thashë.

Në atë kohë në Kavajë kanë hyrë tanket që kishin mbërritur nga një repart ushtarak afër Tiranës. Hekuran Isai i tha Zylyftar Ramizit të bënte çfarë i kisha thënë unë, se do përgjigjesha unë për këtë çështje. Ata ikën në Tiranë. Unë u fola me altoparlant të rinjve dhe u thashë të zbrisnin e të flinin rehat atë natë, ndërsa të nesërmen do përgjigjej secili sipas ligjit.

Të nesërmen erdhi vetë Hekuran Isai, arrestuan ata që ishin evidentuar dhe u bë një mbledhje me komunistët. Pas kësaj u thirr mbledhja e Byrosë Politike. Aty filluan kritikat ndaj meje. U tha se ka rënë puna e partisë, se Kavaja nuk ishte parë me të njëjtin sy si Durrësi për investimet. Ramiz Alia propozoi shkarkimin dhe emërimin si drejtor në fermë. Kështu u vendos. Unë u thashë se kam punuar gjithë jetën me devocion dhe isha i gatshëm të punoja edhe si agronom i thjeshtë, në çdo cep të atdheut. U kujtova se kisha drejtuar punën për likuidimin e pasojave të tërmetit të madh të vitit 1979 dhe partia ishte krenuar gjithmonë me punën time.

U ngrit e foli Adil Çarçani, që më donte shumë që kur kishim punuar bashkë në Qeveri, kur unë isha ministër shteti dhe ai zv/Kryeministër. Në atë kohë isha edhe sekretar i byrosë së partisë së Kryeministrisë. Adili foli për punën time të mirë në çdo detyrë që më ishte ngarkuar, por Byroja vendosi siç propozoi Ramizi.

Të nesërmen mblodha aparatin e komitetit të partisë, i informova, i dorëzova detyrën njërit nga sekretarëve, Nazim Skuqit dhe u nisa për në fermën e Sukthit ku më kishin emëruar dhe vesha sërish çizmet. Makinën e mbajta dhe oficerin e shoqërimit.

Pas një jave vjen Pandi Dini. Ishte shef i administratës së Komitetit Qendror, që merrej edhe me administrimin e autoveturave dhe gjërave që kishim në ngarkim. Ishte me dy shoferë me vete. Më uroi për detyrën e re dhe më tha se kishte ardhur për të marrë “Benz”-in dhe “Chevrolett”-in që më kishin dhënë në kohën e tërmetit në Shkodër.

“Mos e ke gabim?” e pyeta.

“Më ka urdhëruar shoku Foto Çami”, më thotë.

“I thuaj shokut Foto se më kanë shkarkuar si sekretar të parë, por vazhdoj të jem anëtar i Byrosë Politike. Makina dhe shoqëruesi më takojnë me ligj”, i thashë.

Pandi ishte në siklet dhe m’u lut t’i telefonoja vetë Foto Çamit. Nuk doja të telefonoja, por e bëra për hatër. E mora në telefon Foton dhe e sqarova për gabimin. “I kam dhënë provim leksionet e tua dhe i di mirë rregullat”, i thashë Fotos. Edhe Foto ishte në vështirësi. Duket se kishte urdhër. “Merre njishin” më thotë. Urdhrin e kishte dhënë Ramiz Alia. Por i thashë se nuk do ta merrja Ramizin për këtë punë. U dhashë nga një kafe e nga një arançatë pandit dhe të tjerëve dhe i nisa.

Oficerin ma hoqën direkt, e thirri Hekuran Isai. Ndërsa “Benz”-in e mbajta edhe nja katër muaj, por gjithmonë në garazh. Derisa më shkarkuan edhe si anëtar të Byrosë Politike.

Po pse përdornit dy makina?

Unë isha i vetmi anëtar i Byrosë Politike që lëvizja vazhdimisht në terren dhe nuk punoja në Tiranë. “Benz”-in e përdorja kur kishte rrugë të mira, ku nuk kishte asfalt përdorja “Chevrolett”-in.

E ndjeni veten me fat që u shkarkuat në vitin 1991 dhe jo në vitin 1989 apo më herët?

Padyshim. Mund të haja edhe plumbin, sikurse ka ndodhur me ca të tjerë që ishin edhe më lart se unë në detyra.

E keni menduar ndonjëherë nëse ata që u quajtën tradhtarë e meritonin vërtet plumbin?

Po dhe nuk kam qenë për dënimin kapital. Mund të shkarkoheshin nga detyrat e të nxirreshin në pension, mund edhe në ndonjë rast të burgoseshin, por nuk kishte pse të ekzekutoheshin njerëz që, pavarësisht gabimeve, kanë patur shumë kontribute si gjatë luftës, edhe pas çlirimit.

Por këto ishin vetëm mendime. Mendoja se, gjithsesi, partia dhe organet e drejtësisë i dinin më mirë këto punë.

A e keni diskutuar ndonjëherë me shokët e Byrosë pas ngjarjeve të dhjetorit të vitit 1990 se përse populli kishte kaq shumë urrejtje për ju?

Patjetër që e diskutonim, por mendonim se gjithçka vinte nga gjendja ekonomike.

Jo nga ana politike?

Jo, mendonim se ishte varfëria që po i nxirrte njerëzit në rrugë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: