Gjatë kësaj vizite, Veliaj zhvilloi një takim me homologen e tij, kryebashkiaken e qytetit të Grand Rapids, Rosalynn Bliss, me të cilën bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit mes dy qyteteve dhe për shkëmbimin e eksperiencave të suksesshme, veçanërisht sa i përket zbatimit të “Axhendës së Gjelbër”.
Kryebashkiaku i Tiranës e njohu homologen e tij, znj. Bliss, me nismën e Bashkisë së Tiranës për projektin strategjik të Pyllit Orbital, që parashikon mbjelljen e 2 milionë pemëve të reja rreth qytetit, deri në vitin 2030, duke krijuar një kurorë të gjelbër. Po ashtu, Veliaj foli edhe për vëmendjen e veçantë që i është kushtuar përmirësimit të transportit publik, si dhe ndërtimit të korsive të dedikuara për biçikletat. Ai tha se Bashkia ka hartuar tashmë edhe një masterplan të korsive të biçikletave për gjithë Tiranën, ku çdo investim i ri në infrastrukturë do të përmbajë edhe korsinë për biçikletat.
Dy bashkëbiseduesit theksuan nevojën e gjetjes së mundësive të reja të bashkëpunimit sa i përket shfrytëzimit të energjisë së rinovueshme, një çështje e cila po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në të gjithë botën.
Në fund, Veliaj i dha kryetares së Bashkisë së Grand Rapids, Rosalynn Bliss, Kullën e Sahatit të Tiranës, si një vlerësim për mikpritjen që u është bërë ndër vite komunitetit të shqiptarëve që jetojnë atje. /e.a/