Ura e Kamares, një bukuri mesjetare e lënë në harresë

Ura e Kamares, një bukuri mesjetare e lënë në harresë
Ura e Kamares është një urë mesjetare e ndërtuar rreth viteve 1714 dhe ka pasur disa periudha ndërtimi, ku   gjatë periudhës osmane ka pësuar edhe një rindërtim.

Kjo urë u ndërtua nga Ahmeti nga Elbasani, sipas mbishkrimit turqisht në pllakën e gurit të Kamarës, e cila sot ruhet në muzeun e Librazhdit.

Ura e Kamares ndodhet rreth 5 km larg qytetit të Librazhdit, në fshatin Mirakë. Kjo urë është asimetrike, me tre qemerë interesante për nga forma dhe lloji i ndërtimit.

Qemeri i madh i urës ka një hapësirë prej 23 metrash dhe qemeri i djathtë është në formë segmenti rrethor. Ndërmjet tyre ka dritare shkarkuese në formë lundre.

Ura e Kamares është e gjatë rreth 40 m dhe e gjerë rreth 3.5 m dhe midis tyre ndodhen dritare shkarkuese në formë lundre.

Ura është e vendosur mbi tre qemerë, të ndërtuar me gurë ngjyrë gri në të bardhë si vetë përbërja e malit të Murrashit.

Bazamenti për kalimtarët është ndërtuar me një kalldrëm me gurë lumi të rrumbullakët.

Ajo ka marrë këtë emërtim për shkak të një kamareje që ndodhet në anën e djathtë të saj.

Në vendin ku është ngritur ura, shtrati i lumit është mjaft i gjerë.

Në bregun e majtë ura mbështetet në formacion shkëmbor të malit të Polisit, ndërsa mbështetja e djathtë është mbi zhavorrishten e shtratit të lumit.

Në kohën e ndërtimit të saj, ajo lidhte rrugën mesjetare të karvanëve që vinte nga Elbasani e që prej urës së Haxhi Beqarit kalonte majtas lumit, duke ndjekur trasenë e rrugës antike Egnatia, për të vazhduar në Korçë e më tej në Maqedoni, Greqi deri në Stamboll.

Gjithashtu, tek ura e Kamares shkëputej dega rrugore që lidhte Elbasanin me krahinën e Dibrës nëpërmjet Klenjës e Zerqanit.

/e.g/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: