Tirana mbetet pa tifozë në derbi...por ka premio nëse ndal Partizanin

Tirana mbetet pa tifozë në derbi...por ka premio nëse ndal Partizanin
Klubi bardheblu u bëri thirrje tifozëve të rikthehen në stadium për derbin, por mori përgjigje negative. Tifozët e Tiranës kanë nisur përgatitjet për të ndjekur finalen e basketbollit 

Tirana kërkon rikthimin e tifozëve për derbin ndaj Partizanit, ndeshje që do të luhet ditën e premte dhe do të ngrejë siparin e takimeve të javës së 31-të, në Kategorinë Superiore. Klubi i Tiranës u bëri thirrje tifozëve që të kthehen në stadium, për të përkrahur ekipin që ka nevojë për ta në këto momente të vështira. Por “Tirona Fanatics” reagoi, duke mbështetur bojkotin.

Tirana, vetëm 4 pikë larg zonës së ftohtë, kërkon pikë në derbi për të mos rrezikuar rënien në një kategori më poshtë. - “Është momenti për t’u rikthyer në mbështetje të skuadrës në një ndeshje që duhet fituar,” - shkruhet në deklaratën e klubit të Tiranës. – “Rezultatet jo të mira nuk janë arsye për të munguar”. Shkaku që tifozët e Tiranës braktisën ekipin e futbollit ishte vendimi i presidentit Refik Halili, i cili më 25 janar të këtij viti në ambjentet e bashkisë së Tiranës, arriti marrëveshjen me presidentin e Partizanit, Gazmend Demi, që edhe skuadra tjetër e kryeqytetit t’i luajë ndeshjet e saj në “Selman Stërmasi”. Partizani hyri në “Selman Stërmasi” pas vendimit, ndërsa tifozët bardheblu prej asaj dite dolën prej  këtij stadiumi në shenjë pakënaqësie.

Prej fillimit të këtij viti ata nuk e kanë përkrahur më Tiranën. Grupi i tifozëve të Tiranës përveç pakënaqësisë me stadiumin, për bojkotin e fundit në derbi, tha se presidenti Halili nuk ka bërë transparancë për situatën e borxheve dhe kjo është arsyeja që skuadra e tyre rrezikon rënien. Derbi i madh i kryeqytetit rrezikon si asnjëherë tjetër të luhet pa praninë e tifozëve, aq më tepër të ekipit që organizon ndeshjen. Mungesa e tyre rrezikon të zbehë magjinë që kanë dhuruar ndeshjet e kaluara derbi. Tirana pas braktisjes së tifozëve nuk e ka shijuar më fitoren në kampionat, edhe pse ka arritur të kualifikohet në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Në faqen zyrtare të tifozëve ultras të Tiranës, që përbën grupin më të madh dhe të organizuar të tifozëve të Tiranës, është bërë thirrje që të blihen bileta, por si për ironi, për Tiranën e basketbollit që luan finalen për titullin kampion, ndaj Vllaznisë. Edhe në grupimet e tjera më të vogla të tifozëve të Tiranës, nuk ekziston entuziazmi i zakonshëm i përgatitjeve për ndeshjen derbi ndaj Partizanit. Në këto kushte, të kuqtë që kryesojnë kampionatin me Kukësin, në mungesë të tifozëve bardheblu, do të ndihen në “Selman Stërmasi” jo vetëm si në shtëpi, por më të sigurt e të motivuar për fitore.

Dy ekipet rivale premio Tiranës për të ndalur Partizanin

Në mungesë të tifozëve, për të arritur një rezultat pozitiv ndaj Partizanit, duket se kanë menduar ekipet rivale të të kuqve kryeqytetas. Kukësi dhe Skënderbeu i kanë afruar premio lojtarëve të Tiranës, për t’i motivuar që të ndalin Partizanin në derbi. Mësohet se të dy klubet janë interesuar për një rezultat pozitiv të Tiranës, pasi një ndalesë e mundshme e Partizanit do të ishte fatale për titullin kampion. Kujtojmë se një javë pas derbit, Partizani do të luajë ndaj Kukësit.

Sot një vit pa humbje, Gjici: Pa titullin, asgjë nuk ka rëndësi

Kukësi nuk humb prej 36 ndeshjes, ose nuk thyhet prej një viti. Humbja e fundit e Kukësit është shënuar më 26 prill të vitit të kaluar, në ndeshjen ndaj Partizanit. Pathyeshmëria ka ndikuar në ecurinë e kësaj skuadre, që kryeson aktualisht kampionatin, por e ndan atë me pikë të barabarta pikërisht me Partizanin. “Kemi një vit pa humbje, por kjo nuk do të thotë asgjë nëse nuk do të arrijmë të marrim titullin. Do të jetë thjesht një statistikë. Kemi gjashtë ndeshje, gjashtë finale shumë të vështira dhe me rivalë direkt. Nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë nga ndeshjet,” – u shpreh presidenti i Kukësit, Safet Gjici.  Pas ndeshjes së radhës me Laçin në Kukës, verilindorët do të përplasen pikërisht me Partizanin në kryeqytet. Kjo ndeshje vlerësohet vendimtare për rrugën drejt titullit kampion mes këtyre dy ekipeve. Presidenti i Kukësit Safet Gjici, lidhur me akuzat për gjykim në ndeshjet e fundit, kërkoi garë të ndershme nga të gjithë aktorët e futbollit.

/a.m/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: