Si krijuam kushtet për zbarkimin e ushtarëve të huaj

Si krijuam kushtet për zbarkimin e ushtarëve të huaj
Osman Metalla është aktualisht dekan i Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Pas kryerjes së një specializimi në Shtetet e Bashkuara, ai u kthye të shërbejë në Shqipëri dhe në moshën 31-vjeçare emërohet në detyrën e Kapitenit të Përgjithshëm të Porteve. Në këtë detyrë e zë edhe viti i trazirave të mëdha. Ai sjell në kujtesë për “Albanian Free Press” se si përballoi në detyrë ditën më të nxehtë të shpërthimit të anarkisë, 14 marsin dhe se si u arrit të kryhej me sukses zbarkimi i dhjetëra mjeteve dhe mijëra ushtarëve të huaj të misionit ndërkombëtar ushtarak të quajtur “Alba”. “Kemi marrë kontakte paraprake për të garantuar nevojat infrastrukturore që do të kishin flotat e vendeve të ndryshme që do të zbarkonin dhe për të koordinuar operacionin për sjelljen e trupave dhe mjeteve të tjera”, tregon ish-kapiteni Metalla, i cili për dy legjislatura, nga viti 2005-2013 ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Në çfarë situate ishin portet shqiptare në prag të zbarkimit të misionit “Alba”?

Ashtu si gjithë Shqipëria, edhe portet e vendit kaluan një situatë tejet të vështirë. Kështu ishte jo vetëm në Durrës, por edhe në Vlorë, Sarandë e Shëngjin. Veçanërisht delikate situata ishte në Vlorë. Problematikat e qytetit reflektoheshin edhe në port. Aktiviteti portual ishte i paralizuar.

Ndërsa në 13 mars edhe në Durrës filloi një gjendje e vështirë. Njerëzit filluan të futeshin në port por, fatmirësisht, organizimi i shpejtë dhe efikas, evitoi pasoja që mund të ishin shumë të rënda. U dha urdhri për të gjitha anijet të largoheshin nga bankinat dhe të dilnin në radë dhe anijet dolën njëra pas tjetrës për vetëm 45 minuta, duke përfshirë tragetet dhe anijet e peshkimit.

Vetëm një anije ukrainase që kishte defekt në motor u vonua pak në dalje dhe aty tentuan të hipnin njerëz. Por edhe aty situata u mbajt nën kontroll. Njerëzit hynë në port dhe uzurpuan gjithçka, por unë e them sot, pas 20 vitesh, pse jo edhe me krenari, se institucioni i Kapitanerisë së porteve nuk e ka lëshuar për asnjë moment detyrën dhe ka qenë gjithnjë në funksionim. Madje edhe atë ditë kur në port nuk ngeli këmbë polici dhe nuk shikoje asnjë punonjës tjetër të shtetit, oficerët e Kapitanerisë kanë qenë në detyrë deri në orën 17.30 të pasdites. Situata pastaj u rëndua dhe u bë jashtëzakonisht e rrezikshme edhe për jetën e oficerëve dhe ne u detyruam të largoheshim nga zyrat pasi nuk kishim çfarë të bënim më. Aktivitet nuk kishte më, shtet nuk kishte në atë moment, as polici dhe asnjë institucion që të funksiononte. Në ato kushte, jeta ishte parësore.

Sa e rrezikshme ishte ajo situatë?

Në datën 13 mars të gjitha anijet, duke përfshirë edhe tragetet, dolën në radë. Njerëzit kërkonin anije për të ikur nga Shqipëria, por ne duhet të kujdeseshim së pari që të mos kishim situata që mund të çonin në humbje jetësh.

Pasagjerët në tragetet që bënin rrugën për në Itali duhet të imbarkoheshin pasdite. Në port kishin mbërritur ndërkohë pasagjerë shqiptarë, por kishte edhe shumë shtetas të huaj. Kryesisht ishin italianë, por kishte edhe disa gjermanë dhe amerikanë.

Në pasdite vonë bie telefoni. Unë isha në zyrë. Në gjithë portin ishte e vetmja zyrë që funksiononte. Ishte një zyrtar nga ambasada amerikane që, me fjalët e para, shprehu gëzimin që më në fund dikush ishte akoma në zyrë. Më kërkon ndihmë për disa shtetas të huaj që kishin ngelur në terminalin e trageteve, që në atë kohë nuk kishte godinë, por ishte shesh i hapur. Më kërkon së pari që të shkoj t’i takoj dhe t’u jap shpresë atyre njerëzve dhe t’u them se së shpejti do të vijnë t’i marrin. Së dyti, të mundohesha t’i strehoja në ndonjë vend që u jepte më shumë siguri. Llogarisni që atë ditë kishte mijëra fishekë që zbrazeshin në ajër dhe frika ishte mos ndonjë plumb qorr i kapte. Rreziku ishte edhe nga plumba që mund të binin nga qielli, prej të shtënave në ajër. I them se në atë zonë nuk ka magazina. “Po mirë, më thotë, të paktën të rrinë anash ndonjë muri që të mos u rrezikohet jeta”. “Dakord”, i them.

Së bashku me një koleg tjetër nisemi me një makinë për në sheshin e trageteve. Në momentin që futemi, ishte një kaos total. Dogana po plaçkitej. Duket se dikush na identifikoi si punonjës të Kapitanerisë. Në mendjet e turmës u ngjall shpresa se, po të na merrnin peng, ne do t’u sillnim anijet në port.

Turma njerëzish u sulën drejt nesh. I them kolegut” Kthe makinën të ikim, nuk kemi ç’të bëjmë”. Grupe njerëzish të armatosur ishin jo më shumë se 100 metra larg dhe po afroheshin me shpejtësi. Madje qëlluan disa breshëri në ajër që të na frikësonin për të ndaluar.

Ishin aq afër, saqë mund të na vrisnin lehtësisht, por nuk besoj se ishte ky qëllimi i tyre. Ata kërkonin vetëm anije për t’u arratisur.

Nuk arritëm dot t’i kontaktonim shtetasit e huaj në sheshin e trageteve por, fatmirësisht, disa orë më vonë, gjatë natës, erdhën luftanije të huaja që patrullonin Adriatikun në kuadër të embargos kundër ish-Jugosllavisë dhe i morën.

Kur u kthyet në detyrë?

2-3 ditë pas këtyre trazirave, megjithëse aktiviteti portual ishte ndërprerë, kapitaneritë ishin të gjitha në funksion. Oficerët ishin rikthyer në detyrë, me gjithë situatën që vazhdonte të ishte e rrezikshme.

Dua të them se, edhe kur shteti ra, gjatë periudhës mars-prill 1997, Kapitaneria e përgjithshme e Porteve dhe kapitaneritë e porteve të tjera nuk kanë ndërprerë funksionin, falë atyre oficerëve të përkushtuar, një pjesë e madhe e të cilëve vazhdojnë ende në këtë detyrë. I kujtoj gjithmonë me respektin maksimal për gjithë devotshmërinë që kanë treguar.

Si u mundësua zbarkimi i forcave ushtarake ndërkombëtare?

Është pikërisht kjo punë njëmujore që, ndër të tjera, krijoi kushtet për rihapjen e porteve dhe realizimin e zbarkimit të misionit “Alba”.

Kapitaneritë si detyrë parësore kanë monitorimin e trafikut detar dhe sigurinë e lundrimit, detyrë që është kryer në mënyrë të pandërprerë.

Operacioni “Alba” mbërriti pak ditë pasi ishte vendosur qeveria e stabilitetit. Mbaj mend se njëra nga anijet e para ushtarake që ka ardhur në portin e Durrësit ka qenë një fregatë turke e cila, në pamundësi për t’u akostuar në zonat e tjera, është akostuar në kalatën numër 9, kalatën e trageteve.

Mbërritja e kësaj fregate dha një lloj sigurie. Njerëzit filluan të besonin, filluan ta shikonin më ndryshe situatën. Vetë ardhja e misionit ushtarak ndërkombëtar krijoi kushtet e sigurisë që portet t’i ktheheshin aktivitetit normal.

Porti i Durrësit, që deri në atë kohë ishte i mbyllur, u deklarua port i hapur me një vendim të qeverisë e më pas njëri pas tjetrit edhe portet e tjera, të cilët iu rikthyen aktivitetit.

Cili ishte roli i institucionit tuaj gjatë zbarkimit të trupave ndërkombëtare dhe çfarë pune është bërë për të përgatitur mbërritjen e misionit “Alba”?

Natyrisht, kishte nevojë për të krijuar kushtet për mbërritjen e misionit ndërkombëtar, sidomos në drejtim të sigurisë. Portet u shpallën objekte të rëndësisë së veçantë dhe u morën në ruajtje nga Garda e Republikës.

Me këtë punë përgatitore, porti i Durrësit u vendos në një darë sigurie dhe u bë i përshtatshëm për të pritur zbarkimin, megjithëse nuk ishte ende në gjendje të ushtronte aktivitet.

Fakt është se ardhja e misionit “Alba” u krye pa problemin më të vogël.

Kemi marrë kontakte paraprake për të garantuar nevojat infrastrukturore që do të kishin flotat e vendeve të ndryshme që do të zbarkonin dhe për të koordinuar operacionin për sjelljen e trupave dhe mjeteve të tjera.

Nuk ishte e lehtë të koordinoje mbërritjen dhe akostimin e luftanijeve të ndryshme, që në shumë raste mbërrinin njëkohësisht.

Në portin e Vlorës zbarkimi erdhi rreth dhjetë ditë më vonë se në Durrës. Ishte çështje sigurie?

Jo, ishte çështje prioriteti dhe programi. Porti i Durrësit, duke qenë porti më i madh më i rëndësishëm dhe më pranë kryeqytetit, konsiderohej parësor.

Natyrisht, gjithë qyteti i Vlorës në atë kohë ishte jashtë kontrollit, por Kapitaneria funksiononte dhe ishin krijuar edhe atje kushtet për zbarkim. Ardhja e misionit “Alba” bëri që më pas edhe në këtë port të rifillonte trafiku detar dhe aktiviteti portual.

Përpara mbërritjes së këtij misioni, portet ishin shndërruar në “ishuj”. Mbaj mend se në atë kohë, për të shkuar në portet e vendit, përdornim rrugën detare, pasi rrugët nacionale dhe disa qytete ishin jashtë kontrollit. Disa herë kemi udhëtuar me mjetet e Rojës Bregdetare Italiane, që kishte të instaluar në Shqipëri Grupin e 22-të Naval. Kjo, sidomos kur duhet të shkonim për inspektim në Kapitanerinë e portit të Vlorës.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: