SI E HA DROGA SHTETIN?! - Nga FRROK ÇUPI- për “Albanian Free Press”

SI E HA DROGA SHTETIN?! - Nga FRROK ÇUPI- për “Albanian Free Press”
Nga FRROK ÇUPI- për “Albanian Free Press”

Për ne shqiptarët kjo është eksperienca më e largët. Diktatura e egër komuniste na ‘ruajti’ edhe nga njohuritë se si të ha droga. Kombin dhe shtetin tonë- komb, e kishte rrënuar diktatura, izolimi, lufta e klasave dhe më në fund varfëria ekstreme. Droga ishte ende larg...

Tani kemi ardhur te pika ‘drogë’. 2016 ishte viti i parë kur vendi ynë u vu në hartën botërore të rrezikut nga droga. Të gjitha sipërfaqet e kultivueshme me drogë, janë mbjellë me bimën ‘wanted’ në gjithë botën. Jo vetëm është mbjellë sipërfaqja më e madhe e tokës që mund të quhet ‘nën kulturë’, por edhe ‘nuk dihet’ ku ka e ku nuk ka drogë; nuk dihet sa ton u mbollën dhe sa u fabrikuan; nuk është dëshmuar sa ton dhe ku është asgjësuar. Provat e fundit po tregojnë se droga mund të mos jetë asgjësuar kurrë; lënda mund të ketë mbushur tunelet dhe trafikohet drejt Perëndimit nën kujdesin e qeverisë...

Tani ndodhemi në këtë pikë: Shteti ka rënë në kaos. Ka ardhur koha e zgjedhjeve parlamentare, por zgjedhje nuk do të ketë; ka rënë institucioni i zgjedhjeve. Sot mbaroi edhe afati kushtetues i Presidentit të republikës; asnjë kandidat nuk paraqitet në dy seancat e deritanishme parlamentare. Drejtësia nuk funksionon për shkak se nuk është arritur “Vettingu”. Avokatit të Popullit i ka mbaruar mandati. Kuvendit po i vjen dita e fundit..., dhe qeveria nuk ka si rri pa Kuvend, pa drejtësi, pa zgjedhje...

Ky është kaosi; shtetin e ka ngrënë droga. Më parë nuk kishim ditur sie ha droga shtetin; ndërsa tani kaq të hapur sa jemi, kemi modelet më të qartë në gjithë botën.

Jo vetëm Kolumbia, që po citohet në media e në politikë- ndodhet nën pushtetin e drogës dhe të ushtrisë së klaneve, të klikave dhe grupimeve të drogës.

Ja shikoni Meksikën, sa ngjashmëri kemi. Nga kreu:

1.Presidenti Enrique Peña Nieto. Presidenti i Meksikës, i cili kërcënon edhe ISIS se ‘jam më brutal se ju’, ka vendosur që të vrasë në rrugë përdoruesit e drogës. Ka ardhur deri në këtë pikë për shkak se e ka ‘rrethuar’ droga. Media konservatore amerikane Breitbart këto ditë shkruante se Nieto është i pazoti që të ‘rebelojë’ kundër kartelit të drogës; i ka duart të lidhura- themi rëndom. Deri këtu mbërriti kryetari i Shtetit të Meksikës duke mbështetur shumë politikanë të lidhur me kartelin e drogës. Sepse në vitin 2012, zgjedhjet presidenciale të Pena Nieto u financuan nga karteli i drogës. Fondet u përdorën për të blerë votat në ‘cash’. Provat i solli gazetari i famshëm meksikan Carmen Aristegui...

Ja ku jemi sot në shtetin tonë të paralizuar. Opozita ka dalë në protestë për të shmangur modelin ‘Nieto’. Kryeministri i Republikës, Edi Rama, është provuar se ka një lidhje të ngushtë me drogën dhe kartelin e saj. Fillimisht pse suportoi kultivimin në mijëra parcela. Pastaj pse qeveria e tij është piketuar si faktor që e transporton dhe e shet drogën. Pastaj se nga vendet fqinje evropiane vijnë me avionë dhe marrin drogë. Pastaj pse në Kuvend ka prurë dhe ka mbrojtur anëtarët e kartelit të drogës dhe trafikut të qenieve njerëzore. Tani pritet që në zgjedhjet që vijnë të bëjë të njëjtën gjë si presidenti i Meksikës, Pena Nieto: Me paratë e kartelit të drogës të blejë votat në zgjedhje. Opozita po proteston bash për këtë.

  1. Tomas Yarrington, ka qenë guvernator në zonën Tamaulipas në Meksikë. Tani ndodhet në kërkim ndërkombëtar nga Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara. Ai ka transportuar drogë në Amerikë, por shteti i tij, Meksika mashtroi dhe e mbajti në disa pozita shtetërore. Por të paktën ky tashmë është arrestuar në Itali dhe pritet ekstradimi... Pjesëtarët e kartelit të drogës në Shqipëri edhe pse janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, qeveria i fsheh dhe i përdor për të kryer diversion ndaj opozitës , ndaj shtetit dhe sigurisë njerëzore.
  2. Eugenio Hernandez, është pjesëtar i kartelit të drogës, i kërkuar nga Drejtësia në Shtetet e Bashkuara. Por ndërsa në vendin e vet është shpallur i pastër, në Amerikë është në kërkim për krimin e dyfishtë të pastrimit të parave dhe mashtrim bankar. Sigurisht që paratë e “pastruara” vijnë nga karteli i drogës. Fenomeni është i njëjtë po aplikohet në Shqipëri. Militantë të qeverisë, që kanë kryer krime të njëjta në vendet evropiane, këtu janë zgjedhur kryetar Bashkie në distrikte; ose anëtarë të Parlamentit. Ndërsa në Europë janë shpallur “fajtorë” në krime, këtu janë të ‘pastër’.

Në Meksikë janë të paktën shtatë nga liderët e majës së shtetit që ndodhen në këto pozita kriminale me drogën. Përveç këtyre:

Javier Duarte, guvernator i Veracruz është nën akuzë për përvetësim të shumave të mëdha nga paratë publike. Por përsëri është pjesë e administratës së shtetit... Cesar Duarte Jaque- guvernator i

Chihuahua është aktualisht në kërkim në vendin e tij për përvetësim parash nga arka e shtetit. Por ndërkohë, pa asnjë pengesë hyn e del nga vendi i tij në misionin e kartelit të drogës. Gazetari i njohur meksikan Miroslava Breach ka zbuluar lidhjet e tij me Partinë Revolucionare Institucionale; por menjëherë gazetarin e vranë... Humberto Moreira- i cili në Shtetet e bashkuara ka gjurmët e gishtave si i përzierë në krime, në Meksikë po garon si anëtar i Kongresit nën flamurin e “Partisë së të Rinjve’.

A nuk shikoni sa ngjashmëri kemi me një vend ku droga e ka mbytur dhe ka asfiksuar shtetin?! A ka nevojë të gjejmë ngjashmëritë e ‘këtij’ këtu me ‘atë’ atje?!. Sigurisht, secili e bën lidhjen me emrin që ka në mendje si i njohur në krim dhe politikë.

Në Meksikë ka ardhur puna që shteti po gjuan për të vrarë në rrugë ‘përdoruesit e drogës’, por jo ‘kartelin e drogës’. Këtë nuk mund ta bëjë më shteti. Edhe këtu shteti nuk ka më institucione, mund të bëjë çfarëdo çmendurie, por jo të luftojë krimin.

* Qëndrimet e autorëve në rubrikën OP-ED nuk paraqesin domosdoshmërisht vijën editoriale të “Albanian Free Press”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: