Procesi i Berlinit, Shqipëria ndër përfitueset kyçe

Procesi i Berlinit, Shqipëria ndër përfitueset kyçe
Shqipëria paraqitet ndër përfitueset kyçe nga i ashtuquajturi “Procesi i Berlinit”. Së bashku me Serbinë, ajo vlerësohet të jetë ndër vendet ku aplikimi i nismave dhe projekteve në kuadrin e kësaj iniciative të Bashkimit Europian që mbështet integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ka dhënë efektet më pozitive. Kjo konfirmohet në një studim të posaçëm, i cili ka marrë në analizë pikërisht ecurinë e deritanishme të këtij procesi, titulluar “Inventarizimi i Procesit të Berlinit”.

Kujtojmë se Procesi i Berlinit është një iniciativë e Bashkimit Europian për të mbështetur integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, me qëllimin për të përmbushur kushtet kryesore për anëtarësimin e plotë të tij. I lançuar zyrtarisht më 28 gusht të vitit 2014, ai parashikon një periudhë 4-vjeçare të realizimit të tij, për t’u përmbyllur  në vitin 2018. Duke pretenduar kështu që t’i japë një dinamikë të re të procesit të integrimit europian si i tillë.

“Shqipëria dhe Serbia mund të konsiderohen si përfitueset më të mëdha të Procesit të Berlinit për momentin”, citon ai.

Duke shtuar më tej në këtë kuadër faktin se Shqipëria u bë selia e dy organizatave të rëndësishme rajonale, siç është ajo për Organizatën Rajonale të Rinisë dhe për Fondin e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa për Serbinë, studimi në fjalë pohon faktin se për shkak të pozicionit të saj gjeografik, ajo luan një rol të rëndësishëm në dimensionin e biznesit. Duke u angazhuar së

bashku me Odën Ekonomike të Kosovës, për të promovuar investimet në rajon. “Por mbi të gjitha, të dy vendet së bashku, kanë shënuar një përparim të madh në avancimin e tyre marrëdhëniet dypalëshe nën ombrellën e Procesit të Berlinit”, citon më tej ai, duke i dhënë në këtë mënyrë rëndësi faktit të intensifikimit të raporteve bilaterale mes dy vendeve që para dy dekadash gjendeshin në konflikt të hapur për shkak të çështjes së Kosovës. Por që mesa duket, Procesi i Berlinit, i iniciuar nga Bashkimi Europian i ka afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin.

Arritjet konkrete të Shqipërisë, nisma për të rinjtë edhe dialogu me Serbinë

Shembulli pozitiv i dialogut politik shqiptaro-serb, por edhe nisma për të rinjtë në rajon, konsiderohen si dy nisma themelore, të cilat kanë të bëjnë pikërisht me shtyllat sociale të Procesit të Berlinit. Shqipëria, kryefjala e secilës prej tyre, vlerësohet në këtë mënyrë, si një vend i Ballkanit Perëndimor që ka shënuar këto dy arritje madhore në kuadrin e tij. “Shqipëria u bë selia e dy organizatave të rëndësishme rajonale - RYCO dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor”, cilësohet në këtë studim lidhur me një fakt të tillë. Ndërsa vijohet më tej me arritjet e shënuara prej Serbisë, ku njëra prej tyre është pikërisht fakti se “për shkak të pozicionit të saj gjeografik qendror, ajo është një përfitues i madh i axhendës lidhëse dhe luan rolin kryesor në dimensionimin e biznesit”. “Së bashku me Odën Tregtare të Kosovës, ajo është duke lidhur dhomat rajonale të tregtisë për promovimin, investimet, turizmin, etj”, vlerësohet nga ekspertët. Të cilët i japin gjithashtu një rëndësi mjaft të madhe vlerës së shtuar të dialogut pozitiv që po zhvillohet prej disa kohësh mes Shqipërisë dhe Serbisë.

“Përmes Procesit të Berlinit është marrë në konsideratë edhe fakti që Ballkani Perëndimor të bëhet përfitues i dy strategjive makro-rajonale të Bashkimit Evropian, siç është ajo për rajonin e Danubit dhe tjetra për rajonin Adriatiko-Jonian.

Duke i dhënë kështu një rëndësi të madhe lidhjes që ekziston mes tregtisë dhe investimeve”, thuhet më tej lidhur me projektet e përbashkëta mes vendeve të rajonit, ku është e përfshirë edhe Shqipëria.

 

Më shumë 50 nisma rajonale, Shqipëria e përfshirë brenda tyre

 “Ka më shumë se 50 nisma rajonale sot dhe shumica prej tyre ka rezultuar se kanë funksionuar mirë dhe në përputhje me objektivat për të cilat ato janë caktuar që të përmbushin  në fusha të ndryshme të dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor”. Ky është një tjetër konstatim që jepet në kuadrin e analizës së ecurisë së Procesit të Berlinit. Për të vijuar më tej me faktin se një tjetër projekt i rëndësishëm për t’u zhvilluar në kuadër të tij dhe që do të paraqitet në Samitin e Triestes, është pikërisht ai i një tregu më të integruar rajonal. Projekt ky i cili përfshin përpjekjet e koordinuara për të përmirësuar klimën e biznesit, si edhe tërheqjen e investimeve të huaja në tërësi në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë.

Kujtojmë sakaq Samiti i dytë i Procesit të Berlinit u organizua në Vjenë më 27 gusht 2015, kurse Samiti i Tretë u organizua në Paris më 4 korrik 2016. Mesazhi i parë i të gjitha samiteve ishte se rajoni kishte një perspektivë të qartë evropiane dhe se përveç përpjekjeve individuale të secilit shtet, forcimi i bashkëpunimit rajonal është rruga e vetme për të arritur këtë qëllim.

“Rajoni pritet të thellojë integrimin e tij ekonomik duke përmirësuar lidhjet në fushat e transportit, energjisë e dixhitalizimit, duke integruar në korridoret kryesore të transportit të Evropës”, apelohet në konkluzionet e secilit prej tyre. Por edhe fakti se qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit janë parakushte kyçe për zbatimin e suksesshëm të axhendës për integrimin e mëtejshëm të tregut në Ballkanin Perëndimor.

Kjo është edhe arsyeja e domosdoshmërisë së këtyre reformave, e përsëritur nga njëri samit në tjetrin.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: