PD, "MES SHILLËS DHE KARIBDËS" Nga Alfred Peza për “Albanian Free Press”

PD, "MES SHILLËS DHE KARIBDËS" Nga Alfred Peza për “Albanian Free Press”
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Mes dy të këqijave që mund të të ofrohen përgjatë jetës si alternativë, të gjithë zgjedhin të keqen më të vogël. Një rast "sui generis", duket se po bëhet ai i PD dhe opozitës sonë, në raport me zgjedhjet e 18 qershorit. Të cilët duket se janë nisur me koshiencë drejt rrugës më të vështirë, si për ata vetë, ashtu edhe për Shqipërinë.

Me shpresën se në këtë mënyrë do të sakrifikojnë shumë nga vetja për momentin, por të sigurt se do ia dalin që të përshpejtojnë nëpërmjet kësaj rruge, fundin e Edi Ramës dhe mazhorancës që ai drejton sot. Për rrjedhojë, do të mund të realizojnë ëndrrën e tyre për rikthimin më të shpejtë përsëri në pushtet, sesa nëpërmjet rrugës së arsyeshme të keqes më të vogël.

Le të supozojmë për një moment se Lulzim Basha është më i fortë dhe më largpamës se të gjithë ata, që kanë ndërmarrë udhëtimin nëpërmjet një ngushtice si kjo ku ai ndodhet sot "mes Shillës dhe Karibdës", duke nisur nga Odiseu i Homerit e deri në ditët tona. E le të përmbledhim vetëm në dy, të gjitha opsionet që shtrohen përpara tij dhe të ardhmes së afërt demokratike të vendit.

1.- PD dhe aleatët e saj, hyjnë në zgjedhjet e 18 qershorit, pavarësisht zgjidhjes konkrete politike në tavolinën e negociatave të sotme.

2.- Opozita e bojkoton këtë proces së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 2017.

Pyetja që shtrohet fillimisht pas kësaj është: Kush mes këtyre dy rrugëve, është e keqja më e vogël? E para, do të thonë pothuajse të gjithë njëzëri. Pra, pavarësisht problematikave të adresuara, apo të pretenduara nga palët që janë përfshirë në ngërçin e sotëm, vendi të shkojë drejt zgjedhjeve, me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike. Me siguri që këtij kori, nuk do t’i mungojnë as zërat nga opozita dhe PD. Ç'farë sjell kjo rrugë? Një proces zgjedhor legjitim, e për rrjedhojë edhe një mazhorancë dhe opozitë nesër, sipas verdiktit që qytetarët shqiptarë do të japin me vullnetin e tyre të lirë, në kutitë e votimit. Ky përfundim, pavarësisht se kujt do ti përkasë ai ndër forcat dhe grupimet e sotme politike, jep shanse që pretendimet, shkaqet apo më së shumti sebepet e sotme, të adresohen, të zgjidhen dhe të çojnë në këtë mënyrë përpara qeverisjen e vendit, por edhe reformën në drejtësi.

Rruga e dytë, e cila vlen të analizohet pak më thellë e më në detaje, është ajo që sot duket se është më pranë se kurrë: Bojkotoi i zgjedhjeve nga PD dhe parti të tjera aleate të sotme, që mund t’i bashkangjiten. Unë gjithnjë kam besuar dhe besoj, se Berisha ka patur të drejtë kur ka thënë se bojkoti nuk është asnjëherë një opsion për PD, sepse ai shkon kundër ADN-së së kësaj partie. Por nëse bëhet realitet, do të kemi të parin rast në historinë e pluralizmit në Shqipëri, që forca kryesore politike e opozitës, ia heq mundësinë gjysmës së qytetarëve me të drejtë vote, që të shprehin vullnetin e tyre politik në ditën e zgjedhjeve.

Për rrjedhojë, produkti elektoral që pritet të prodhohet, mund t’i bëjë legjitimistët, që të përfshihen ne një debat real për fenomenin. Por edhe për pasojat që ai mund të prodhojë në të ardhmen, qoftë në jetën parlamentare, qoftë në qeverisjen e vendit dhe qoftë në raportet demokratike të partive dhe qytetarëve, për kufirin e së drejtës kushtetuese për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur.

Nga ana tjetër, ka edhe një pyetje që ka nisur të shtrohet me zë gjithnjë e më të lartë, por me të drejtë edhe shqetësues: Nëse opozita aktuale nuk merr pjesë në zgjedhje, a krijohet një vakum në spektrin politik të përfaqësimit? Sigurisht që po. Madje i madh. Por nga ana tjetër, ky vakum a ka ndonjë mundësi teorike apo edhe praktike që të mund të mbushet në mënyrë legjitime, gjithashtu? Madje shpejt, deri në momentin e regjistrimit zyrtar pranë KQZ të partive politike dhe koalicioneve të tyre parazgjedhore? A ka në tregun politik sot aktorë dhe faktorë që do të mund të kishin koshiencën e këtij momentumi delikat, e të krijonin në një kohë "rekord" një pol të ri politik të së djathtës, që do i jepte mundësinë të gjithë atyre që nuk duan të votojnë mazhorancën e sotme të majtë, të shkojnë drejt kutive të votimit, e të zgjedhin të mirën e tyre më të vogël, në këtë skenar të së keqes më të madhe?

E nëse kjo ndodh, sa legjitime do të jenë nesër mandatet e këtij poli të së djathtës së re, për përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve dhe votuesve të djathtë, në Parlamentin e ardhshëm? Po qeveria që do krijohet nga mazhoranca që do të dalë nga këto lloj zgjedhjesh, sa legjitimitet do të ketë për të qeverisur vendin me një mandat të plotë katër vjeçar? E mbi të gjitha, çfarë do të bëhet me opozitën e bojkotit? Dhe çfarë pasoje do të mund ti sillte jetës së vendit, dalja e saj nga skena politike, qoftë edhe në mënyrë të përkohshme apo të përhershme? A ka raste të tjera në vende me demokraci në stadin tonë aktual të zhvillimit, apo më të avancuar e më të konsoliduar se ne, që kanë kaluar nëpërmjet këtij skenari? Si janë zgjidhur këto raste dhe ç'farë pasojash kanë sjellë për të ardhmen e tyre?

Të gjitha këto, e shumë pyetje të tjera, janë ato që mundojnë sot, aktorët kryesorë politikë në vend, por edhe komunitetin ndërkombëtar në Tiranë, apo të interesuar për zhvillimet politike dhe demokratike në Shqipëri. Ato kërkojnë përgjigje dhe sigurisht, herët as vonë, një pjesë e tyre do të qartësohet. Duke na bërë dëshmitarë të largpamësisë sonë, apo mungesës së saj, për të parë me sytë e mendjes, projektimin e zhvillimeve të ardhshme. Por një gjë është e qartë që tani, si drita e diellit.

Se kurrë deri më sot, se që nga Odise e deri më sot, askush nuk arriti ose nuk do të arrinte kurrë në "Itakën" e vet, duke zgjedhur të kalojë nëpërmjet rrugës së të keqes më të madhe. E sigurtë është se Lulzim Basha nuk është nga ato, që do të mund të ndryshojë ligjësitë 2600 vjeçare të njerëzimit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: