PARTIA SOCIALISTE PO VDES - Nga EDISON YPI për “Albanian Free Press”

PARTIA SOCIALISTE PO VDES - Nga EDISON YPI për “Albanian Free Press”
Nga EDISON YPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Partia Socialiste po vdes sepse nën pushtetin e Partisë Socialiste, nën rendin e saj, administratën e saj, të gjitha arat, arëzat, pllajat, livadhet, lëndinat, guvat, kapanonet dhe magazinat e braktisura të Shqipërisë që nuk shihen nga rrugët kryesore janë vënë të gjitha në shërbim të kultivimit dhe trafikimit të hashashit. Thyerja e rekordeve historike botërore të kultivimit të drogës në përmasa të papara e padëgjuara e ka krijuar një iluzion të punësimit minimal, fitimit të pas lekëve, mbajtjes gjallë të frymës të një numuri banorësh lokalë, deri diku edhe të një mëkëmbjeje ekonomike, por duke qënë ilegale, është edhe provizore, iluzore, e pavlefshme në pikpamje elektorale.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste gjatë katër viteve të pushtetit të saj, administrata shtetërore jo që s'u ndreq as minimalisht, por sot si kurrë më parë është e korruptuar nga koka te këmbët, në çdo ind, në çdo qelizë, deri në fshatin më të largët, deri në skutën më të humbur. Nuk e gjen dot sot makar një nëpunës komune që të mos jetë i urryer sepse merr ryshfet, sepse është hajdut, a të paktën të mos perceptohet i tillë.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste nuk ndërton rrugë që u duhen qytetarëve për të udhëtuar, bizneseve për tu zgjeruar, bujqëve për të transportuar prodhimet që pasi i bëjnë duke hequr picirin u kalben anës arave, por ndërton stadiume zbavitjeje, veliera, ekspozita, panaire, qoka, që s'i duhen as dreqit.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste me filozofinë e saj, nëse e ka një të tillë, nuk nxit punën, përveshjen e llërëve, shpirtin e sakrificës, por pispillosjen, ngrehjen, dukjen, mburrjen, pamjen, jetën e kollajshme, paret e pamundimshme, pasivitetin, ëndërrën boshe të rehatit pa punuar.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste duke harruar totalisht meritokracinë e premtuar ka thurur rishtazi në administratë rrjetin nepotik të diktaturës në formën e një muri të padepërtueshëm për të tjerë që atij rrjeti nuk i përkasin.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste e cila gjatë fushatës së fundit elektorale tha se 20 % e tokës bujqësore punohet me plug, më ka mbetur në mendje kjo megarrenë, nuk ka treguar deri më sot asnjë cop tokë që punohej me plug dhe tani punohet me traktor.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste e ka shtuar frikshëm ushtrinë e analfabetëve funksionalë që po enden rrugëve këtu ose lajnë pjatat nëpër botë.

Partia Socialiste po vdes sepse në Europë dhe Botë u tha gurra ku Partia Socialiste pinte ujë, cofi soroizmi i gjoja shoqërisë së hapur, shoqërisë civile, dhe një mijë e një spurdhjakërive të tjera.

Partia Socialiste po vdes sepse me restaurimin e nomenklaturës që ka mbushur zyrat, sigurimit që luan levat dhe shtyp butonat, Partia Socialiste po kërkon të rrotullojë mbrapsht rrotën e historisë.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste po e mban Shqipërinë në vendet e fundit të renditjes për zhvillimin, pasurim, arsimim etj.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste emigracionin nuk e frenon por e shton.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste jo vetëm nuk i mbajti premtimet për mjekësinë falas por shqiptarët e sëmurë i ka hedhur nëpër spitalet private ku paguajnë qimet e sqetullës dhe nënbarkut.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste të persekutuarit e diktaturës i ka vetëm në një listë, atë të pareve të turpit. Të cilat pare po ua jep. Por thjesht për tu marrë votat.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste po e bën propagandën me plehrat më të ndyra që ka parë bota, zhganin e kalemxhinjve bythlëpirës të paguar që lehin nga ana që u hidhet kocka.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste po u vjen rrotull për President ca kërrmave komuniste, ca skërbythjeve mbeturina të luftës brenda llojit, ca që s'kanë asnjë lidhje me paanësinë, ndershmërinë, progresin, dhe të tjera broçkulla me të cilat Partia Socialiste mburret.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste nën kostumin firmato ka këmishë prej zone të parë operative, kanotjere Tepelene, brekë labërie.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste pritshmëritë e shqiptarëve për jetë më të mirë, me më tepër shpresë, me më tepër dinjitet, nuk i shtoi por i paksoi.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste po thotë se ajo që po vdes është Partia Demokratike. Ky keqkuptim kaq dramatik i Partisë Socialiste me veten e vet, po ndodh sepse sa kohë Partia Socialiste fake newsat vet i bën, vet i shpërndan, vetë i beson, s'do ment se ajo që po vdes nuk është Partia Demokratike por Partia Socialiste.

Partia Socialiste po vdes sepse Partia Socialiste është kthyer faktikisht në Parti e Punës.

Partia Socialise po vdes edhe për një mijë arësye të tjera. Nuk po i rreshtoj ato arësye. Po më vjen keq. Po kam mëshirë. Po ti rreshtoj do duket se Partia Socialiste nuk ka vdekur, as ngordhur, as varrosur, kurrë nuk ka ekzistuar.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: