NEGOCIATORËT E FATIT TONË! - Nga Sonila Meço për “Albanian Free Press”

NEGOCIATORËT E FATIT TONË! - Nga Sonila Meço për “Albanian Free Press”
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vendet kryesore të Bashkimit Europian janë në fushata të ethshme të brendshme që po shndërrohet në referendume mbi të ardhmen e BE-së. Mu bash në këtë moment historik për kontinentin e vjetër, Shqipëria shfaqet e mbërthyer në një krizë politike, duke iu dhënë negociatorëve europianë për të shkoqitur lëmshin me rrënjë të thella, por të kultivuara mirë në korrupsion, kanabizim, krim të organizuar, mungesë idesh, alternativash bindëse dhe imazhesh të rinj në politikëbërje. E të presësh nga negociatorët në këtë cep të Europës të kenë nerva të qeta e durim për të përballuar qëndrimet kokëforta të liderëve shqiptarë, madje edhe shantazhe se nëse nuk na anëtarësoni në shtëpinë që po i rrëshqasin themelet, do dalë prej këndej tym i zi, që do asfiksojë Europën, ngjan ushtrim i vështirë, i sforcuar, madje i pamundur. Është si ai kulmi i durimit për të qëruar orizin me doreza boksi.

Shqipëria anëtare e NATO-s, me sistem të liberalizuar vizash, me statusin e vendit kandidat për në BE, ka bërë çdo përpjekje për të dëshmuar se gjithçka është bërë në mirëbesim, me idenë se kushtet e përmbushura dhe një klimë favorizuese gjeopolitike do të shërbenin si kriter për përmbushjen e shumë të tjerave, duke forcuar demokracinë, institucionet, ekonominë dhe sigurinë në rajon.

Sot jo vetëm që ka krizë në çdo pritshmëri, por shënojmë edhe rekorde të reja në raportet e Departamentit të Shtetit, mediave ndërkombëtare, madje edhe vetë prezenca e njëpasnjëshme e negociatorëve ndërkombëtarë për të mundësuar klimë besimi për zhvillim normal zgjedhjesh, nuk lë vend për dyshim se po i bëhemi barrë Europës në ditët e veta më të vështira. Dhe se pak hapësirë kanë negociotarët europianë ku mund të shtrojnë ‘rrugicën’ e besimit. Ndoshta çfarë po i ndodh Europës mund të jetë mësim i vyer për vetë shqiptarët dhe vetëm prej vullnetit të tyre mund të zgjidhet edhe kjo krizë.

Kësaj here Shqipëria është në morsë dhe nuk ia kanë shumë ngenë.

Nisim nga jashtë: Vendet europiane po i shndërrojnë proceset zgjedhore në referendume mbi të ardhmen e Bashkimit Europian, destinacioni që mban kursin e politikës shqiptare për të mos rrëshkitur në moskundin e programeve politike të partive tona.

Franca zhvilloi raundin e parë zgjedhor presidencial në 23 prill. Në 7 maj, ditën e raundit vendimtar për kandidatin fitues do të jenë përballë tyre Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen, dy kandidatë që kanë dy projekte të ndryshme për Francën, aq të ndryshme sa Macron kërkon të mbrojë çfarë Le Pen do të zhbëjë dhe vice versa. Macron kërkon një Francë që sheh globalizimin si mundësi e jo kërcënim, që toleron minoritetet duke iu garantuar të drejtat e çdo banori në vend. Që mbron një Francë të hapur, që ruan marrëdhënie të ngushta me fqinjët brenda një projekti të përbashkët europian.

Le Pen në anën tjetër kërkon të mbyllë Francën në kufijtë e saj, i lë lamtumirën Bashkimit Europian dhe që i mbron shpatullat Francës së drobitur sipas saj nga globalizmi, me proteksionizëm. Për të raundi i 7 Majit është beteja kundër interesave të korporatave, që sipas saj përfaqësohen nga Macron, një bankier që dikur punonte për Rothschild.

Pra francezët kanë përballë dy alternativa, të kundërta, duke shenjuar me rezultatin e raundit të parë një Francë të ndarë, të partive klasike të dështuara. Për herë të parë në thuajse 60 vjet, për herë të parë në Republikën e Pestë.

Vendi që për dekada është drejtuar nga një strukturë tradicionale e politikës së majtë e së djathtë, po përballet me një ofertë të re.

Pak muaj më parë ideja se Macron, 39-vjeçar, ministër Ekonomie do të qe fituesi i raundit të parë qe absurde. Ai heq dorë nga posti i ministrit të ekonomisë, i kthen shpinën protektorit të tij Hollande, dhe krijon lëvizjen e vet politike. Pa përvojë në politikën elektorale, pa mbështetje partiake. Ai gjeti një rezervuar të pashfrytëzuar mbështetjeje mes të rinjve, të zhgënjyerve. Me karizmë, artikulim, me fat. Me fat sepse partitë tradicionale zgjodhën figura tipike të sa majtës e së djathtës, të ndotur nga akuzat për korrupsion dhe perceptimi i një establishmenti që ka krijuar distancë me popullin. Qindra mijë iu bashkuan pak kohë pas krijimit, ende nuk ka mbushur vitin e mjaftoi për ta shndërruar kreun e saj në favoritin e zgjedhjeve presidenciale.

Sot politikania e regjur e Frontit Nacional, Le Pen, që solli rezultatin më të mirë elektoral të partisë së saj, duke ‘vrarë atin’ në politikë, ka përballë një politikan të ri që kurrë më parë nuk ka garuar për një post publik, që pretendon se është kundra sistemit. Le Pen gjithsesi për të përforcuar perceptimin se është mbi qëndrimet partizane dha dorëheqjen nga posti i kryetares së Frontit Nacional. Sipas saj presidenti i ri duhet të bashkojë francezët pavarësisht ndarjeve të forta të tyre. Ky konsiderohet një akt simbolik për të dëshmuar se shqetësimet e saj janë për vendin si i tërë e jo për partinë.

Rezultati i raundit të parë konsiderohet gjithsesi fundi i një skleroze ekonomike e politike dhe Bashkimi Europian mbetet argumenti kryesor I këtij raundi, duke e shndërruar garën presidenciale në një referendum në lidhje me opinionin e francezëve për të ardhmen e projektit europian.

Pavarësisht se sondazhet paraprake e shohin Macron fitues për shkak të thirrjeve të kandidatëve humbës për elektoratin e tyre në mbështetje të kreut të En Marche, debati i fortë vlen për të kuptuar erën e re politike në Europë. Franca duket fort e ndarë lidhur me të ardhmen e BE-së. Votat e euroskeptikëve, mbështetësve të Le Pen dhe Melenchon shkojnë gati sa gjysma e pjesëmarrësve në zgjedhje. Shkurt Franca është në një moment shumë të vështirë, ku përpos referendumit për BE-në, i duhet të përballet edhe me një krizë të fortë institucionale, të prodhuar nga fakti se presidenti i ardhshëm do të vijë o nga një e djathtë ekstreme, ose nga një lëvizje pa mbështetje partiake, klasike për qeverisjen e deritashme franceze e që mund të vështirësojë raportet President-Parlament.

Bashkimi Europian do të jetë argumenti i fortë zgjedhor edhe për Gjermaninë që pas verës do të shohë në terrenin elektoral edhe forca të ekstremit që kanë detyruar ridimensionimin e programeve politike. Për shkak të një lodhjeje të përgjithshme të elektorateve nga ato që i cilësojnë ‘establishmente’ të partive që kanë udhëhequr prej dekadash vendin. Establishmente që kanë krijuar pabarazi, distancë e hapësira që sot po mbushen nga parti me diskurse të reja, tashmë edhe ekstremiste. Merkel e djathtë e cila sot drejton një koalicion të madh të Kristian Demokratëve dhe Social Demokratëve pranoi gati një milion refugjatë në vend, pavarësisht kundërshtisë dhe një vale të fortë zemërate. Me sytë nga projekti europian ajo deklaron se Gjermania është atdheu ynë, por Europa është e ardhmja. E majta nuk ka mundur të sigurojë mbështetjen e shtresave tradicionale të saj, punëtorët dhe shtresat e varfra ndihen të braktisur, pabarazia është shtuar dhe vetë liderë të majtë deklarohen se kemi dështuar në ngjitjen e tyre ne klasën e mesme. Për këtë arsye partitë tradicionale edhe aty po sfidohen nga politikanë kundër establishmentit. Aleanca për Gjermaninë (AfD) është partia e parë e shpallur kundra emigracionit. Suksesi i saj në zgjedhjet lokale ka reflektuar zemëratën ndaj politikës pritëse të emigrantëve të Merkel. AfD do të mbyllë kufijtë e Gjermanisë, të deportojë menjëherë ata që janë refuzuar për azil politik, thekson epërsinë e kulturës dhe gjuhës Gjermane dhe kundërshton idenë se Islami është pjesë e kulturës gjermane. Parti e së djathtës si alternativë ekstreme e konservatorëve të Merkel, mbështet daljen e Gjermanisë nga Bashkimi Europian, dhe shpërbërjen e Euros. Po ashtu mbështet qytetarët e papërfaqësuar, të zhgënjyer nga establishmenti i partive që kanë drejtuar me dekada vendin. Dhe që në zgjedhjet e ardhshme do të ndryshojë peizazhin politik, duke u shndërruar ndoshta në një forcë të fortë opozitare që do të diktojë edhe politikat e ardhshme në raport me BE-në.

Kudo në kontinent ndihet një frymë pakënaqësie. Njerëzit po humbasin shpresën. Partitë klasike të majta e të djathta kanë vështirësi në përkufizimin e mesazhit. Njerëzit janë të zhgënjyer dhe pabarazia ulëret në jetën e përditshme. Terrorizmi, emigracioni, globalizmi, forca e mediave sociale kanë vendosur një terren të rrëshqitshëm nën këmbët e partive tradicionale që tashmë sfidohen nga forcat kundër establishmetit. Që në shënjestër kanë vendosur projektin e përbashkët europian. Dhe kjo frymë kundra u parapri si nga referndumi për daljen e Britanisë nga BE, ashtu edhe nga ndryshimi i erës politike në SHBA me zgjedhjen e Trump dhe tezat e tij populiste, proteksioniste, antiestablishment, për të përfaqësuar zërin e popullit të pa konsideruar.

Ndaj nëse sot negociatorët vijnë me dhimbje koke nga realitetet e koklavitura të vendeve të tyre të origjinës, vulosur me pasiguritë e forta të Brukselit, Shqipëria duhet të gjejë vete udhën e daljes. Nga brenda tensioni i krijuar nuk është thjesht çështje karrigesh pushteti. Ai mund të motivojë disa të hyjnë në çadër, të tjerë të kënaqin egon e kryeministrit me statuse patetikë. Kjo është krizë e shoqërisë shpresëhumbur. Krizat nuk janë vetëm tonat, shembujt e mësipërm dëshmojnë një erë të re politike. Veçse në ndryshim me tonën, krizat atje shihen jo vetëm si frikë ndaj ekstremizmit, por edhe si mundësi. Mundësi për një ide të re, lider të rinj. Krizat atje vishen me përmbajtje alternativash. Arrijnë të mobilizojnë elektorat. Atje vota të ndëshkon për arrogancën, korrupsionin dhe premtimet e pambajtura. Aty elektorati të ndëshkon nëse nuk e përfaqëson. Formulat nga mund të shohim e krahasojmë janë aty. Pavarësisht kulturës së ndryshme të popujve, bota është hapur, globalizmi ka bërë të vetën e kjo bën që problemet e francezëve sot të diktojnë edhe jetën e gjermanëve, apo grekëve. Që edhe ndryshimi I pushtetit në Amerikë të ridimensionojë rolin e Bashkimit Europian.

Nuk e kemi kaluar ende provën e demokracisë dhe quajmë ‘establishment’ kasta të pangjashme me korrupsionin dhe kaosin tonë institucional. Por nuk mobilizohemi as si elektorati europian kur në skenë dalin forca kundër këtij organizimi të çorganizuar tradicional. Atje elektorati detyron edhe partitë më të konsoliduara të zhvendosen në ideologji. Të korrigjojnë një të majtë që veç ka krijuar pabarazi e të afrojnë një të djathtë më nga qendra për solidaritet. Ndërsa tek ne ideologjitë nuk u instaluan një herë të vetme, duke prodhuar sot në pushtet një Parti Socialiste të koncesioneve, privatizimeve, PPP-ve e mbështetur tek një oligarki mediatiko-ekonomike dhe ekonomia e kanabisit. Dhe një Parti Demokratike që rreket të shkëputet nga trashëgimia e saj, kontribuuese e një tranzicioni të egër. Ndaj sado të presim nga negociatorët, duhet ta dimë se kur fryn një erë politike si kjo, i ngre grimcat mjaftueshëm për çdo vend. O do marrim shembujt që era sjell, o do ndërgjegjësohemi se çfarëdo modeli të zgjedhë Europa sot, ka kaluar më parë në demokraci. Ne ende nuk përfillim shtetin, institucionet e ka gjasë që era që fryn nga perëndimi, të përplaset edhe me atë nga lind dielli. Erdogan fiton me rezultat të ngushtë një referendum që i siguron pushtet edhe më të madh, duke e shndërruar Turqinë nga Republikë e Ataturkut në Republikë të Erdoganit. Ndryshimet hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të vitit 2019 e nëpërmjet tyre presidenti mund të kalojë ligje me dekretin e tij, pa kaluar në Parlament. Kjo do të shënojë fundin e ndarjes së pushteteve në Turqi, me pushtetin e Presidentit që shtrihet edhe mbi gjyqësorin.

Ndaj ndërsa morsa shtrëngon, o do ta zgjidhim vetë këtë krizën tonë, duke shfrytëzuar ca mësime të vyera nga perëndimi, o do lejojmë të pushtetshmit ta bëjnë për ne, duke shantazhuar edhe me shembuj lindjeje. Ama duke mbetur cepi i Europës që nuk kaluam një ditë të vetme si popull nga demokracia përfaqësuese.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: