Me qitje të largët...

Me qitje të largët...
Nga Juela Meçani për “Albanian Free Press”

Dikur banoja në lagjen “Ali Demi”, një pallat me shumë shkallë - nja shtatë – që, ndërmarrje të ndryshme, e kishin ndërtuar me punë vullnetare. Por, duke qenë se disa shkallë ishin ndërtuar nga punonjësit e Radio Televizionit Shqiptar, e tërë mëhalla e thërriste “pallati i radiotelevizionit”.

Me dhjetëra familje në këtë pallat, vërtet punonin aty, në pozicione të ndryshme. Të gjitha shkallët e tjera, na e kishin zili këtë pjesë, sepse, pavarësisht se në atë sistem të mbrapshtë, qemë të gjithë njëlloj, ne u dukeshim si një farë borgjezie. Kishim magnetofon, fëmijët visheshin pastër, të rregull, të krehur e pispillosur, sikur na kishte lëpirë macja, tavat tona kur shkonin në furrë, dallonin për bollëk, pushimet i bënim më larg se Durrësi - shkonim deri në Sarandë.

Mes ballkoneve tona, ama, kishte një “poligon” të vërtetë fëlliqësie dhe hipokrizie. Çdo ditë, mbusheshin qeset me plehra dhe hopaaaa, hidheshin nga lart e direkt në oborr të pallatit. Ky veprim bëhej më një shpejtësi rrufe që të mos pikaseshin fajtorët “shtëpiakë” nga askush. Një pisllëk që shtohej shtresa-shtresa deri në fund të javës, kur atyre të katit të dytë u vinte tek hunda. E bindeshin të mos hidhnin më gjë për disa ditë. Por nuk harronin amvisat që shkundnin tapete e lanin ballkone me ujë, që ta rinisnin ciklin e plehrave, sërish, javën tjetër, e ndërkohë fëmijët e tyre ishin të pispillosur po njësoj.

Filmi ndërron seri në ditët tona. Jo më larg se sot, një cigare e ndezur desh më dogji kokën, ca ujë vazosh më spërkati mirë e mirë, e plehrat....ah, prisni pak! Saga e plehrave vazhdon!

Jemi në tjetër lagje, në qendër, në ish-bllok. Pallatet përsëri me shumë shkallë, me zengjinë plot, makina luksi, shkolla private, ka shoferë, shoqërues, kamera sigurie, epidemi me parukeri e butikë. Ndërkohë, avazi i vjetër nuk ka kaluar me vitet e as me sistemin. Nga dritaret e banjave të kateve afër me qiellin, se janë apartamentet më luksoze, hopaaaaa..., qeset me plehra gëlojnë, e në këtë rast, janë mu poshtë dritareve të kuzhinës.

Pra, pak nga pak, ne hamë ushqim e plehra bashkë. Ne të mesmit, ata të pasurit, ata studentët me qira. Të gjithë bashkë, në një hall që e prodhojnë “amvisat” me mëndafsh.

Dreqi e mori, nuk qenka e thënë të ndryshojë moti dhe robi bashkë! Se kur ecim rrugëve të atdheut me makinë, shpesh themi “iii, shiko fshatarët që i hedhin plehrat afër me derën!” dhe mirë bëjmë që indinjohemi, se vërtet që të hedhësh plehrat në mes të jeshillëkut që ne “të betonizuarit” ëndërrojmë, është mëkat i madh! Por harrojmë shpejt, se nuk po arrin dot që shkollimi, shëtitjet nëpër botë, ato ekspozitat e pikturës ose operat që vrapojmë të ndjekim, shpesh, se janë në mode, nuk kanë arritur, ama, të na bëjnë qytetarë! Jo!

Shumë gjëra na mësoi jeta të gjithëve, por të jemi largpamës, kurrë! Nuk ka “plehra borgjeze”. Plehrat janë plehra. Po i flake te hundët e te këmbët e tjetrit, i ke edhe te hunda jote. E për aq kohë sa vazhdojmë të ndotim edhe vendin ku rrisim fëmijët, e nuk na dhimbsen as ata tanët e jo më të tjetrit, le të mos shesim tangërllëk me kokën përpjetë. Pisllëku është më i keq se fukarallëku apo injoranca, veçanërisht pisllëku “me qitje të largët”. Vetëm qytetaria të bën perëndimor, asgjë tjetër!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: