MARRËVESHJET VIJNË VETËM NGA BRUKSELI - Nga Plator Nesturi për “Albanian Free Press”

MARRËVESHJET VIJNË VETËM NGA BRUKSELI - Nga Plator Nesturi për “Albanian Free Press”
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ende pa mbërritur në Tiranë negociatorët e lartë të PE, McAllister dhe Fleckenstein, për të negociuar një marrëveshje maxhorancë opozitë për daljen nga kriza, mësohet se një pjesë e madhe e drejtorëve të policisë do të shkarkohen. Fakti se të prekurit nga kjo furtunë shkarkimesh janë drejtuesit e rajoneve më problematike të evidentimit të mbjelljeve të hashashit në vend, ishte një formë të pranuari se fenomeni i kanabizimit ekziston dhe se qeveria po ndërmerr masa konkretë me prerje kokash kryepolicësh për të zbehur akuzat e bashkëpunimit apo të tolerancës ndaj trafikut të drogës.

Nga kampi tjetër, kryedemokrati Basha, në fjalën e përditshme në çadrën e protestës, ndërsa u shpreh i hapur për dialog dhe gjetjen e zgjidhjes që në zgjedhje të mos mungojë opozita, për herë të parë në 66 ditë proteste nuk artikuloi kërkesën për qeveri teknike. Deri një ditë më parë qeveria teknike ishte kusht i panegociueshëm i opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, ashtu siç për maxhorancën akuza se policia ish bashkëpunëtore me trafikantët konsiderohej si fantazi hashashi e konsumuar në çadrën e PD.

Mekanizmat e përcjelljes së mesazheve paraprake ndaj aktorëve politikë konfliktualë shqiptarë kanë funksionuar, ndaj dhe misioni i McAllister dhe eurodeputetit Fleckenstein nis me një probabilitet më të madh suksesi. Ende pa nisur bisedimet, qëndrimet e drejtuesve politikë kanë qenë më të kujdesshme, më të matura dhe pa hakërrimat që kanë shoqëruar këto dy muaj krize. Edhe takimet kokë më kokë me negociatorët kanë qenë diskrete, pa deklarata për konsum elektoral. Por ajo çka bie në sy pas kësaj shpërfaqje qytetarie e moderniteti mendjehapur të liderëve tanë, është se kjo vjen kur përballë ka arbitrin evropian. Në dy muaj përbaltjeje e lumi akuzash,, llogoret e krizës veç u thelluan dhe klasa politike dëshmoi dhe një herë se në krizën e saj ende nuk mund të gjejë zgjidhje e të rregullojë vetë punët në familjen e vet.

Sidoqoftë kriza po gjen zgjidhje dhe kjo është më e rëndësishme. Qetë e politikës shqiptare devijojnë shpesh dhe u duhet hosteni i BE për të hyrë e ndjekur rrugën demokratike. Dhe në këtë aspekt zgjidhjet duken të shpejta, ndryshe nga opsionet pesimiste të deritanishme ku dukej se kërkesat maksimaliste e bënin të pamundur marrëveshjen dhe zgjidhjen e krizës.

Platforma prej 12 pikash e negociatorëve të PE, siç mësohet, tenton së pari përmbushje të opsioneve të pranueshme dhe dhënien e elementëve të garancisë për të hyrë në zgjedhje në kushte të besueshmërisë. Formula e qeverisë teknike mund të jetë opsion i paarritshëm, por opozita mund të kënaqet me faktin se problemet e saj me rrezikun e kanabizimit të vendit po pasqyrohen me goditje të krerëve të policisë në rajonet problematike. Po ashtu maxhoranca duhet të lëshojë në kohë për zhvillimin e zgjedhjeve pasi të ketë dhënë konsensus paraprak jo vetëm për reformën zgjedhore por dhe në kërkesat e tjera që lidhen me fushatën apo zhvillimin normal e të pranueshëm të tyre. Fakti i numërimit elektronik të votave, siç mësohet, mund të ofrohet nga vetë BE, çka do të plotësonte atë kërkesë e cila e çoi në ngujimin në çadër të PD, por njëkohësisht do të kërkojë dhe një kohë të nevojshme për ta kthyer në ligj e për ta implementuar.

Zgjedhjet e reja parlamentare duket qartë se do të kapin vjeshtën dhe mesi apo fundi i shtatorit duket si opsioni më i afërt për t’i dhënë kohë gjithë aspektit ligjor që do të duhet për të formësuar kodin e ri zgjedhor por dhe aspektet e tjera në funksion të marrëveshjes politike.

Zgjedhja e Presidentit të ri është njëra prej tyre dhe emri i tij duket se do të jetë pjesë e pazarit e konsensusit midis palëve. E gjitha kjo, e shoqëruar dhe me procedurat për miratimin e ligjit të Vetingut dhe ngritjes së komisioneve që do të jenë të ngarkuara me reformën në drejtësi dhe institucionet e reja që do të ngrihen, mund të jenë pjesë e panoramës së përgjithshme të konsensusit. Sidoqoftë, vreri i akumuluar në gjithë këtë kohë, vështirë se do të tretet në tekstin e një marrëveshjeje. Sërish do të ketë të tjera spirale...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: