Liria e medias, Shqipëria renditet e 103-ta në botë

Liria e medias, Shqipëria renditet e 103-ta në botë
Freedom House ka publikuar raportin për lirinë e medias për vitin 2016, ku vihen re nivele në rënie të lirisë edhe në demokraci madhore. 2016 konsiderohet si pika më e ulët në 13 vjet, për shkak të sulmeve të shtuara ndaj mediave të pavarura e gazetarëve. Edhe vendi ynë ka shënuar një hap pas në raportin me median e lirë, duke u renditur i 103-ti në rang global dhe i 39-ti në rajon.

“Liria e shtypit global ka rënë në nivelet më të ulëta në 13 vjet, për shkak të kërcënimeve të paprecedentë ndaj gazetarëve dhe portaleve mediatike në demokracitë madhore dhe sulmeve të intensifikuara ndaj mediave të pavarura në shtetet autoritariane si Rusia dhe Kina.” Me tone të zymta nis raporti i Freedom House për Lirinë e Shtypit në vitin 2016, i karakterizuar nga trende në rënie edhe në vendet më demokratike të botës. Sipas Jennifer Dunham, drejtuese e studimit për Lirinë e Shtypit, liderët politikë dhe të tjera forca partizane në shumë demokraci, ku nuk përjashtohen as Shtetet e Bashkuara, kanë goditur besueshmërinë e mediave të pavarura dhe gazetarisë së bazuar në fakte, duke i hequr shtypit rolin e mbikëqyrësit në shoqëritë e lira.

Analiza e Freedom House fillon pikërisht me Shtetet e Bashkuara, një prej vendeve më miqësore ndaj shtypit në mbarë botën. Debati publik, ku presidenti Donald Trump ka qenë protagonist me përbuzjen e tij të hapur ndaj mediave, por edhe disa raste të izoluara, kanë bërë që liria e shtypit të pësojë një rënie modeste në SHBA, e cila gjithsesi gëzon një media aktive, agresive dhe heterogjene. Por sipas Freedom House, një rrezik i madh kanoset nga ky fakt, pasi Shtetet e Bashkuara mund të humbasin pozitën e tyre si model dhe standard për të tjera vende. Një sulm i tyre ndaj mediave, mund të inkurajojë homologët të bëjnë të njëjtën gjë, sipas presidentit të Freedom House, Michael Abramowitz, që do të thotë se një dobësim i mëtejshëm i lirisë së shtypit në SHBA, do të ishte një pengesë për demokracinë kudo.

I pandryshuar vijon të mbetet presioni mbi gazetarët në mjedise më kufizuese, ku shembuj kryesorë janë Rusia e Kina, e së fundmi edhe Turqia e Venezuela. Freedom House vlerëson se qeveritë e këtyre vendeve kanë vendosur kontroll thuajse të plotë mbi shtypin vendas, duke shtuar përpjekjet e tyre për të ndërhyrë dhe për të përçarë edhe mjedisin mediatik në vende fqinje e më tej, me qëllim, përhapjen e influencës. Jashtë vëmendjes së Freedom House nuk mbeten as liderë specifikë si Aleksandar Vucic, Benjamin Netanyahu apo Rodrigo Duterte, të cilët vazhdimisht delegjitimojnë mediat kryesore të vendeve respektive.

Nuk përbëjnë aspak surprizë vendet të cilat Freedom House i rendit në pozicionet e fundit për raportin e tyre me median. Lista kryesohet nga Koreja e Veriut, që renditet e 198-ta në rang botëror me 98 pikë nga 100 maksimale, e ndjekur më pas nga Turkmenistani e Uzbekistani. Top dhjetëshen e vendeve më problematike sa i përket lirisë së medias, e mbyllin Irani e Siria, me një rezultat total prej 90 pikësh.

Por në çfarë pozitash qëndron Shqipëria? Freedom House vlerëson vendin tonë me 51 pikë, duke e renditur kështu të 39-tin në rajon dhe të 103-tin globalisht, sa i përket lirisë së medias. Krahasuar me vitin 2015, kur Shqipëria vlerësohej me 49 pikë, renditja më e fundit tregon se vendi ka bërë një hap pas dhe vijon të klasifikohet si një mjedis me shtyp pjesërisht të lirë. Në përgjithësi, rajoni i Ballkanit perëndimor karakterizohet nga një presion i madh mbi mediat e pavarura. Situata më e rënduar në rajon, paraqitet në Maqedoni, e cila renditet në pozicionin 139 në rend global, me 64 pikë.

Si gjetje kyçe të këtij raporti, Freedom House del në përfundimin se vetëm 13% e popullsisë botërore gëzon një ambient të lirë mediatik, ku mbulimi i lajmeve politike është i lartë, siguria e gazetarëve është e garantuar, ndërhyrja e shtetit në çështjet e medias është minimale dhe shtypi nuk është subjekt i presioneve të rënda ligjore apo ekonomike. 42% e popullsisë së botës jeton në një vend ku media është pjesërisht e lirë, ndërkohë që 45% jetojnë në vende ku media nuk është e lirë.

Freedom House rendit Argjentinën e Afganistanin në listën tepër të shkurtër të vendeve që kanë reflektuar zhvillime të rëndësishme e pozitive në raportet e tyre me median. Ndërkohë, Polonia, Turqia, Hungaria e Serbia janë ndër vendet që kanë shënuar edhe rëniet më të mëdha, me sulmet e tyre të vazhdueshme ndaj shtypit dhe gazetarëve.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: