Kush luftoi në 7 prill

Kush luftoi në 7 prill
DOSSIER/ Dokumente të panjohura të Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Italiane të pushtimit, shënime të SIM-it si dhe dokumente gjermane e angleze japin detaje të reja e të panjohura për 7 prillin e vitit 1939. Rezistenca shqiptare minutë pas minute

Nga Gjergj Thanasi

Shqipëria ishte vendi i parë në Europë i sulmuar nga blloku nazifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në kundërshtim me propagandën e Musolinit se shqiptarët e pritën me lule, në pothuajse gjithë vijën bregdetare dhe pjesërisht në brendësi të tokës, pati rezistencë të armatosur. Në komunikatën për shtyp të asaj kohe thuhej se operacioni i kushtoi jetën 12 ushtarakëve, ndërsa 81 të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa dokumente nga Ministria e Luftës saktësojnë se në ato ditë janë dërguar rreth 200 telegrame ngushëllimi në familjet e ushtarëve dhe oficerëve që humbën jetën në Shqipëri. Në dokumentet e shtatmadhorisë italiane si dhe në ato të shërbimeve sekrete italiane detajohet rezistenca shqiptare ndaj forcave të pushtimit, të cilën po ia sjelli lexuesit të detajuar.

Durrës, 7 prill 1939

Ora 05.25. Gjeneral Guzzoni urdhëron gjeneral Mesen të zbarkojë trupat e batalionit 47 të këmbësorisë nga torpediniera “Lupo”, anija “Acquitania” dhe një anije tjetër transporti. Bateria e topave “Scoda” e kapiten Moskos hap zjarr kundër koracatës 25 mijë tonëshe “Giulio Cesare” dhe kryqëzorit 12 mijë tonësh “Fiume” ku gjendej dhe gjenerali Alfredo Guzzoni, komandanti i përgjithshëm i operacionit “OMT-Oltre Mare Tirana”. Breshëritë e pushkëve dhe mitralozëve mbulojnë molin me të vrarë dhe të plagosur. Këmbësorët italianë kthehen në anije.

Ora 06.15. Bersalierët e batalionit “X” sulmojnë për herë të dytë. Zmbrapsen me humbje. Kryqëzorët “Fiume” dhe “Bolzano” brenda 10 minutave nxjerrin jashtë luftimit baterinë shqiptare që ishte vendosur pranë Vilës së Mbretit Zog. Bombardohet rëndë Shkëmbi i Kavajës, Rrashbulli, plazhi mbretëror, kodra e Currilave. Përdoren topa 200 dhe 300 mm nga flota italiane. Gjuajtësit CR 42 dhe bombarduesit “Savoia” godasin objektiva në Durrës dhe rreth tij. Kaçatorpediniera “Audace” godet me predha 105 mm disa shtëpi në qytet, muret antike, komandën e  marinës shqiptare si dhe derën e bankës së shtetit. Tanket e lehtë së bashku me bersalierët e regjimentit 27 të kolonelit Anderson kryejnë një sulm të kombinuar në Currila, Plazh e Porto Romano. Granatierët dhe topat e tyre 65/17 mm ndihmojnë në asgjësimin e qëndresës shqiptare. Një pjesë e forcave shqiptare tërhiqen drejt Shijakut ku ishin përqendruar trupat e major Sabri Gjilanit me një bateri “Scoda” 75/15 mm. Trupat me rekrutë e kreshnikë nga Shijaku e Kavaja nën komandën e kapitenit të I-rë Asim Kopliku në Rrashbull pa artileri, pa mitraloz me 30-50 fishekë për person, tërhiqen pa shkëputur kontaktin me zjarr me bersalierët drejt Golemit dhe Kavajës. Kapiteni i I-rë Mulë Delia me një batalion rekrutësh dhe vullnetarësh, përfshirë 200-300 kreshnikë të Ramazan bej Jellës, përpiqet të rezistojë në kodrat prapa Shijakut. Në Durrës trupat shqiptare e përgjakën rëndë pushtuesin, por pësuan edhe humbje në të vrarë, të plagosur e robër. Akti heroik deri në vetëmohim i kapterit Mujo Ulqinaku u bë simbol i rezistencës shqiptare.

Ora 10.00. Në Durrës mbërrin atasheu ushtarak italian Gabrieli me ministrin Rogera dhe kolonelin e Xhandarmërisë Sami Koka. Ata sjellin  kërkesën për armëpushim dhe për marrëveshje ushtarake të Mbretit Zog. Gjeneral Guzzoni për shkak të çrregullimeve në zbarkimin e trupave dhe mjeteve si dhe humbjeve të pësuara në të vrarë e të plagosur, pranon armëpushim deri në orën 16.00 të po kësaj dite. Vija e frontit mbetet lumi Erzen deri në kodrat e Rrashbullit. Ngecja në bregun e Erzenit, pengesat në zbarkim në Shëngjin, Vlorë e Sarandë alarmojnë Duçen në Romë. Zv/ministri i aviacionit gjeneral Valle dhe gjeneral Ranza vijnë me hidrovolant të shoqëruar nga 12 gjuajtës në Durrës për të inkurajuar trupat të avancojnë drejt Tiranës.

Ora 15.55. Hidhet në erë ura e Shijakut. Bateria shqiptare 65/17 mm qëllon me 12 predha duke dëmtuar dy tanke “Fiat” të kolonel D’Antonit si dhe djeg një autokarro “Marchetti” bashkë me topin 20 mm. Trupat italiane të përkrahur nga aviacioni dhe artileria e anijeve kalojnë Erzenin në urën e koncesionit bujqësor EIEA dhe shpërthejnë mbrojtjen shqiptare drejt Maminasit. Gjithsesi kapiteni i I-rë Asim Kopliku dhe Ramë Habilja rezistojnë në kuotën 62, rruga për në Kavajë.

8 prill, ora 06.00. Trupat italiane janë përtej Erzenit, Pjeshkëzës e Shkëmbit të Kavajës. Forca shqiptare, ose tërhiqen me zjarr drejt Tiranës, ose shpërndahen për mungesë municioni.

Ora 08.00. Tanket dhe kamionët italianë ndalen në Maminas për mungesë karburanti. Trupat kreshnike të toger Syre Ajazit, i shqetësojnë me zjarr nga larg. Kadetët e xhandarmërisë nën komandën e Major Murat Bashës, të privuar nga bateria malore 75/13 mm, e mbetur në urën e Zezës nën goditjet e aviacionit italian, hapin zjarr me mitraloz të lehtë e pushkë kundra kolonës së çiklistëve e motoçiklistëve në ballë të së cilës është koloneli Scozzani me objektiv aeroportin e Tiranës. Një kolonë bersalierësh në kamionë e regjimentit 28 të kolonelit Scattini, ardhur nga Shëngjini, godet në shpinë trupat e major Bashës. Rruga për në Tiranë tashëm është e hapur.

Ora 09.30. Bersalierë, tanke e çiklistë kapin aeroportin e Tiranës.

Ora 10.00. Granatierët e kolonelit Manerinni zbarkojnë nga aeroporti i Foggias. Menjëherë pas tyre mbërrijnë me avion ministrat Ciano dhe Passolini.

Ora 11.45. Bersalierët dhe milicët e konsullit Nanini, të prirë nga koloneli Gabriele, pushtojnë Radio Tiranën. Djemtë e familjeve Mniku, Llagëmi, Topi, Cungu, Caslli që lexonin në gjuhë të huaj thirrjen për rezistencë të ish-kryeministrit Mehdi Frashëri, sapo ishin larguar nga ndërtesa e radios.

Ora 12.30. Në sheshin para bashkisë gjeneral Guzzoni, gjenerali Mese, ministrat Ciano dhe Pasolini, ambasadorët Briti dhe Jakomoni shtrëngojnë duart me ish-kryeministrin Xhaferr Ypi, kryepeshkopin Xhuvani, gjeneral Serreqin, kolonel Sami Kokën. Sekretari i Ministrisë së Jashtme, Mihal Sherko, qan me hidhërim në veturën e legatës italiane.

Ora 16.00. Bersalierët e regjimenteve 18 dhe 14 si dhe tanket e lehtë të batalionit 10, pas një përpjekje të shkurtër, neutralizojnë trupat e princit Hisen Dohoshishti në Qafë Krrabë Skuterrë ku kapin mbi 400 pushkë, 2 bateri 75/27 mm, 3 mitralozë të rëndë, një radiostacion RT 4, një autoambulancë, mbi 100 mijë fishekë. Forcat e  mbetura shqiptare tërhiqen me zjarr drejt Elbasanit të komanduara nga nënkolonel Shefqet Bega dhe major Ahmet Rroji. Trupat italiane në 08.30 mbërrijnë në Grand hotel në Elbasan ku priten nga Shefqet Vërlaci.

Vlorë, 7 prill

Ora 06.30. Fillon zbarkimi në port. Trupat nën komandën e  kolonelit Ali Riza Topalli hapin zjarr me pushkë dhe një mitraloz. Brenda një ore bersalierët e regjimentit I, milicët e batalionit LXXXVI dhe bombardimi i  kaçatorpedinierës “Camiccia Nera” neutralizojnë rezistencën shqiptare. 2500 pushkët e çuara me urdhër të Zogut, shoqëruar nga major Bilal Nivica për trupat kreshnike të Labërisë, bien në duart e milicëve të batalionit XL. Konsulli Italian Salvo Salvoni kishte arritur të sabotonte mbrojtjen e Vlorës. (në raportin për Dr. Broccoli të SIM-it jepen hollësi për këtë operacion).

Ora 14.00. Bersalierët në kamionë e motoçikleta priten me pushkë në linjën Bestrovë-Panaja, 7 km nga Vlora nga një batalion rekrutësh me 250 trupa i kapiten Neshat Kolonjës. Nga ora 14.00 e datës 7 prill deri në 07.00 të datës 8, italianët gozhdohen në Bestrovë. Koracata “Cavour” godet me 36 predha (207 kg) bashkë me bateritë e kryqëzorit të rëndë “Bolzano” pozicionet e Bestrovës.

8 prill, ora 18.00. Italianët hyjnë në Fier pasi shpërthejnë mbrojtjen shqiptare, e cila vuante mungesën e municionit.

Sarandë, 7 prill

Ora 07.00. Trupat e “San Marcos”, bersalierë, çiklistë etj, priten me zjarr nga xhandarë e ushtarë të toger Nazif Babanit, nëntoger Ndojës, toger Hiqmet Sulos. Pas një orë luftimi, tanket e regjimentit “San Giorgio” neutralizojnë rezistencën shqiptarë në Sarandë, Qafë Gjashtë, Qafë Muzinë.

Ora 18.00. Trupat italiane hynë në Delvinë. Tradhtia e qarkkomandantit të xhandarmërisë Gjekë Marashi dhe Gegë Markagega hap rrugën për Gjirokastër, ndonëse kapiten Haxhi Xhilaga me 72 ushtarë reziston në Jergucat. Toger Babani dhe një aspirant xhandarmërie të plagosur i dorëzohen kolonelit Mario Koraci në Sarandë dhe italianët respektojnë ligjet e luftës.

Shëngjin, 7 prill

Ora 05.30. Ushtarët e “San Marcos”, bersalierët e regjimentit VI dhe III zbarkojnë, por priten me zjarr. Koloneli Arturo Scantini në krye të trupave të veta shpërthen mbrojtjen shqiptare pas gjysmë ore luftë. Ndërsa përparojnë drejt Lezhës, goditen me zjarr nga kreshnikë e xhandarë dhe shkojnë në drejtim të Qafës së Malit. Aty bien përsëri në zjarr pushkatarësh trupat italiane dhe marrin drejtimin për në Kakarriq. Ushtarët e “San Marcos” goditen me zjarr edhe në breg të Drinit.

Ora 12.30. Italianët hyjnë në Lezhë me motoçikleta dhe biçikleta.

Ora 18.00. Batalioni motomitralier, i prirë nga koloneli Scattini, ndalon në Gjadër dhe Barbullush.

8 prill, ora 07.30. Grupi i III i përzier i Shkodrës, me major Kucuk Ugllai (rus i bardhë) dhe trupa kreshnike nga Hoti e Gruda, rezistojnë në kodrat e Tepes e të Bardhajt. Me ndërhyrjen e  parisë së Shkodrës dhe konsullit italian, pas gjysmë ore bombardimi dhe mitralimi nga ajri, trupat zogiste tërhiqen për në Koplik-Bozhaj dhe kalojnë në Jugosllavi në datë 9 prill 1939.

Në brendësi të vendit nuk pati më luftime, ndonëse  italianët zbarkuan në Korçë nga ajri vetëm në 10 prill, ndërsa në Kukës në 12 prill dhe në Burrel tanket italiane hynë vetëm në 14 prill.

Për të përshkruar rezistencën shqiptare të 7 prillit janë konsultuar burime të shtatmadhorisë italiane, shënimet e Dr Broccoli i SIM-it, Oberkomandës së Vermahtit, War Office anglez si dhe zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

 

 

USHTRITE KUNDËRSHTARE MË 7 PRILL 1939

ITALIA

Komandant i operacionit: gjeneral Alfredo Guzzoni

Marina dhe aviacioni

Dy koracata tip “Cavour” 25 mijë ton secila

7 kryqëzorë (4 të rëndë, 3 të lehtë)

16 kaçatorpedinierë

14 torpedinierë

10 nëndetëse

Anija “Miralia” për transport tankesh

5 motocisterna

1 minavënëse

3 katra silurues

4 skuadrilje zbulimi detar

22 anije transporti

120-140  avionë gjuajtës, bombardues dhe transportues

Forca zbarkuese

Kolona e Durrësit:

Komandant, gjenerali Giovani Messe

1 regjiment bersalierësh me tre batalione

2 batalione bersalierësh-kolonel Anderson

2 batalione tankesh të lehtë- kolonel D’Antoni

1 bateri 65/17 me granadierë

1 bateri 20 mm e divizionit MURGE

1 batalion këmbësorie

Kolona e Shëngjinit:

Komandant kolonel Scattini

3 batalione bersalierësh

2 kompani të batalionit San Marco

Kolona e Vlorës:

komandant kolonel Bernardi

2 batalione bersalierësh

2 batalione këmishëzinjsh

Kolona e Sarandës:

komandant kolonel Carassi

1 regjiment bersalierësh

2 batalione çiklistësh

1 skuadron tankesh San Giorgio

2 kompani batalioni San Marco.

Trup ekspedita kishte 22 mijë njerëz, 16 bateri artilerie, 125 tanke të lehtë, 860 automjete, 1200 motoçikleta, 5500 biçikleta dhe 2500 kuaj e mushka. Në mbështetje, në rast dështimi të mundshëm, ishin mobilizuar edhe 70 mijë trupa të gatshme në portet italiane

 

SHQIPERIA

Komandant i mbrojtjes: major Abaz Kupi

Forcat e Durrësit:

150 xhandarë

300 krutanë e dibranë kreshnikë

100 vullnetarë nga Durrësi e Shijaku

100 ushtarë financierë e detarë

1 bateri topash “scoda”, kapiten Gaqi Mosko

3 mitralozë të rëndë Shvarcenberg, një i lehtë

100 xhandarë kreshnikë e ushtarë, Kap. Xhemal Herri

Mbrojtja e Shijakut:

Major Sabri Gjilani komandant fronti

200 rekrutë në Shijak, Kapiten i I Mulë Delia

200 kreshnikë në Pjeshkëz, komandant Rexhep Jella

Një bateri “scoda” 65/17 mm

Mbrojtja e Vlorës:

50 xhandarë, kolonel Ali Riza Topalli

1 batalion rekrutësh 200 forca, Bestrovë, kap. Neshat Kolonja

Mbrojtja e Shëngjinit:

17 ushtarë

28 kreshnikë

1 mitraloz i lehtë “Fiat”

12 xhandarë në Kakarriq

12 xhandarë e 10 kreshnikë në breg të Drinit

200 trupa e 100 kreshnikë në Shkodër

Mbrojtja e Sarandës:

47 xhandarë e ushtarë, toger Nafiz Babani

Nga tetë tanket e ushtrisë shqiptare asnjëri nuk mori pjesë në betejë. Nuk morën pjesë në betejë edhe 250 gardistë dhe oficerë që shoqëruan Mbretëreshën dhe Princin e porsalindur si dhe qeverinë e Mbretin për në Kapshticë. Forcat shqiptare numëronin edhe 3500 kreshnikë të Murat Kaloshit nga Dibra, batalioni “Vjosa” i Gardës Mbretërore me 200 burra, komandat Major Hamza Drini, Kapidan Markagjoni me 800 kreshnikë mirditas, batalioni shkollor kufizor Korçë me 200 rekrutë, toger Shyqyri Hackoviqi dhe Kapiten Mahmut Golemi me 100 rekrutë tek Ura e Kuçit, Berat. Këto trupa u shpërndanë pas zbarkimit, pa shtënë një pushkë. Major  Bilal Nivica nuk armatosi 3500 kreshnikë në Vlorë. Shqipëria nuk kishte asnjë anije apo avion luftarak.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: