KUSH I LUAN DHE SI PO I LUAN GURËT? - Nga Apollon Baçe për “Albanian Free Press”

KUSH I LUAN DHE SI PO I LUAN GURËT? - Nga Apollon Baçe për “Albanian Free Press”
Nga Apollon Baçe

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shefi i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, politikani gjerman me emër puro skocez: David James Mac Allister, konsiderohet delfini i Angela Mercel-it dhe kryetar i pritshëm i EPP (Partisë Popullore Europiane). Si i tillë dështimi në shuarjen e sherrit Shqiptar nuk i solli dëm vetëm autoritetit të tij.

Propozimet e McAllister dhe njohësit të mirë të tekave politike Shqiptare Knut Fleckenstein: përkatësisht zëvendësimi me teknicienë i ministrave kyç, shtyrja e datës së zgjedhjeve, ashpërsimi i masave për shitblerjen e votës ishin mjaft lëndore.

Nëse garante për to do ishin EPP dhe Gjermania, vërtet që problematika e zgjedhjeve të 18 qershorit nuk do ishte zgjidhur në mënyrë ekselente, por e përmirësuar në maksimumin e mundshëm po.

Pagëzimi i freskët Beton-Köpfe: kokë- betonër, sinonim ky i kokë-shqopës sonë, e përkufizon bukurmirë vlerësimin të paktën gjerman për “udhëheqësinë” tonë. Në shikim të parë kjo kokëshqopësi duket si punë namuzi, si një Question d’ Honeur që dikur i shtynte burrat gjaknxehtë dhe sedërlinj të vrisnin dueleve njëri tjetrin.

Ndërkohë këtu vjen e të ngatërrohet nëpër këmbë dhe vargu enigmatik i këngës “Question d’honeur” : “Përgjigjet, janë pyetjet e atyre që nuk duhen pyetur”. Thjesht një gjëegjëzë, ashtu si dhe si e psetë e vizitës McAllister/Fleckenstein.

Shpjegimi për Ramën, i cili nuk pranoi formulën krejt racionale dhe mëse të dobishme të Metës: “prano qeverinë teknike dhe do hy në koalicion me ty” shpjegohet thjesht, me tre gërma (sa numri i lapsave kur shkoi të ngushëllojë francezët për Charlie Hebdo-në): NPD (Çrregullim Narcistik Personaliteti).

Në të vërtetë, simptomat e këtij çrregullimi (vetëvlerësimi maksimal, alojaliteti, përkujdesja e tepruar për paraqitjen) janë kostum i prerë enkas për Ramën, veçanërisht nën- numrat 6 dhe 7 të Millon: Narcisizëm Elitar: (personat që e shohin veten të destinuar për udhëheqje falë kushteve speciale në fëmijëri dhe pseudo arritjeve) dhe Narcisizëm Kundrues (personat që kërkojnë admirim nga sa më shumë dhe nga sa më të rëndësishmit (Th. Millon, Disorders of Personality).

Nga ana e përkundrejtë Basha nuk është një “Senior Politician” me përvojë, këllqe dhe shpurë solide. Vërtet që çadra nuk bërtet më Berisha- Berisha, por Basha- Basha. Por ishte Berisha ai që i tha çadrës mos bërtisni Berisha- Berisha, por Basha- Basha.

Ai që e njeh nga afër Bashën, e di mirë se Basha nuk e zotëron adrenalinën e duhur për ti thënë preras jo një misi ndërkombëtar.

Krejt ndryshe nga Berisha të cilin karakteri impulsivo/malësor e shtyu të mos priste Nën Sekretarin Amerikan të Shtetit Timothy Wirth dhe të hynte një herë e mirë në dosjet e zeza të Departamentit të Shtetit prej nga nuk doli kurrë (kryetarin e caktojnë, liderët lindin).

Basha vërtet që mund të lëvizë një gur të guximshëm në fushën e shahut Ballkaniko/Bizantin, por vetëm kur i thuhet në celular që ta lëvizë këtë gur. Shkurt, lojën e rrezikshme të këtij lloj shahu mund ta luajë vetëm një “professional” i prerë për aventura dhe konflikte, i cili llogarit nja 3- 4 lëvizje para.

D.m.th., është në gjendje të mendojë se çfarë do të preferojë Meta: Hyrjen në zgjedhje me rezultat dyfishimin e deputetëve të tij (por me haraçin e kthimit në partner buratin që nuk kontrollon dot jo më 70 plus 1, por as 84), ose mos hyrjen në zgjedhje me pasojë mos pjesëmarrjen në parlament, ose do provokojë vetëbesimin dhe do rrëzojë Ramën, duke e bërë armik për besë Ramën. Si e tillë tashmë kokëdhimbja është e Metës i cili nuk është më para udhë kryqit por para degëzimit në tre a më shumë shtigje të rrugës. Dhe këtë duhet ta zgjidhë sa më shpejt dhe këtë herë pa McAlistar dhe Fleckenstein, pasi 7 maji, dita e provës gjenerale, nuk është as 10 ditë larg. Dhe po u përgjak Kavaja, do të përgjaket e tëra. Gjaku sjell gjak.

Duke e ripërmbledhur, Rama luan për kokën e tij me moton “l'état, c'est moi/shteti jam unë” (pavarësisht se në kurriz të partisë së tij), Basha (për mua Berisha) luan përsëri për kokën e Ramës (duke pranuar rrezikshmërinë maksimale të partisë së tij) dhe Meta luan a mbron kokën e tij.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: