KQZ: Regjistrohen 17 parti, procesi i verifikimit të kandidatëve përfundon më 9 maj

KQZ: Regjistrohen 17 parti, procesi i verifikimit të kandidatëve përfundon më 9 maj
Në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit janë regjistruar 17 parti politike. Procesi i verifikimit që tashmë ka nisur, sipas KQZ-së, do të përfundojë më 9 maj.

KQZ paralajmëron partitë se në rast të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për zgjerim të pjesëmarrjes data 3 maj është afati i fundit për regjistrimin.

“Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, brenda afatit të përcaktuar në nenin 67 të Kodit Zgjedhor, kanë depozituar lista shumemërore të kandidatëve për deputet për zgjedhjet për Kuvend, 17 parti politike.”

Partitë që  kanë depozituar lista shumemërore:

  1. Partia Komuniste e Shqipërisë
  2. Sfida për Shqipërinë
  3. Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
  4. Partia Lista e Barabartë
  5. Partia Uniteti Kombëtar
  6. Aleanca Popullore për Drejtësi
  7. Partia Demokracia Sociale
  8. Partia Aleanca Demokratike
  9. Partia Kristian Demokrate
  10. Lëvizja Socialiste për Integrim
  11. Partia Aleanca Arbnore Kombëtare
  12. Partia për Drejtësi Integrim Unitet
  13. Partia Social Demokrate
  14. Partia Socialiste e Moderuar
  15. Partia Socialiste
  16. Fryma e re Demokratike
  17. Partia Aleanca Demokristiane

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbështetje të nenit 73 të Kodit Zgjedhor, është duke përpunuar dhe verifikuar dokumentacionin e kandidimit për të gjitha partitë politike që kanë depozituar lista shumemërore.

Njëkohësisht, KQZ në zbatim të ligjit 138/2015, ligjit të dekriminalizimit, ka nisur edhe verifikimin e formularëve të vetë-deklarimit për kandidatët për deputetë.

Listat shumëemërore të partive politike të cilat janë në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor do të miratohen nga KQZ jo më vonë se data 5 maj 2017.

Ndërkohë, për listat shumemërore të partive politike tek cilat do të konstatohen parregullsi në dokumentacionin e kandidimit, do të kthehen për plotësim jo më vonë se data 4 maj.

I gjithë procesi i miratimit ose refuzimit nga KQZ, i listave shumemërore për kandidatët për deputetë, do të përfundojë brenda datës 9 maj.

KQZ pasi të miratojë listat shumemërore e kandidatëve për deputetë do t’i publikojë ato në faqen zyrtare, së bashku me formularët e dekriminalizimit dhe jetëshkrimet (CV).

KQZ, e ndërgjegjshme për situatën politike në të cilën ndodhet vendi, por edhe e përgjegjshme për detyrën që i është ngarkuar, iu tërheq vëmendjen të gjithë faktorëve dhe aktorëve politike se, nëse ende synohen manovra gjithëpërfshirëse, prej datës 3 maj 2017 jo vetëm ligjërisht, po edhe teknikisht shkelim kufirin e pamundësisë së çdo zgjerimi të pjesëmarrjes", tha Drilona Hoxha, zëdhënëse e  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: