KONTROLLI I MENDJES, KJO SUPERFUQI! - Nga MERI DISHNICA për “Albanian Free Press”

KONTROLLI I MENDJES, KJO SUPERFUQI! - Nga MERI DISHNICA për “Albanian Free Press”
Nga MERI DISHNICA për “Albanian Free Press”

Ndoshta ju nuk keni asnjë problem të kontrolloni mendimet, por ja që unë po. Mendimet “mbijnë” në kokë si bari i keq rrëzë pemëve. Mendimet nuk të pyesin; ato futen në kokë dhe të bëjnë, shpeshherë, lëmsh. Mendja, kjo “bredharake” e madhe! Sigurisht, ne nuk mund “të fluturojmë” sikurse mendja jonë dhe as të kontrollojmë motin, ama mund të kontrollojmë mendjen… Po, mundemi!

Dekart, babai i filozofisë moderne, ka veçuar të menduarit si bekimin dhe mallkimin e qenieve njerëzore: “Unë mendoj, prandaj jam”.

Bekim, sepse është një aset që ne – njerëzit – kemi, e cila, sigurisht, na dallon nga kafshët. Ne mendojmë, zhvillohemi, përmirësohemi. Mendojmë të shkuarën, imagjinojmë të ardhmen, jemi të ndërgjegjshëm edhe për të pandërgjegjshmen.

Mallkim, sepse të menduarit mund të komprometohet nga ndjesi që ne i mbivendosim mendimeve tona; p.sh., pendohemi për të shkuarën, apo fillojmë të kemi frikë për të ardhmen, zgjedhim, shpeshherë, të rrimë në “errësirë”. Ky është mallkimi që të menduarit na sjell. E gjejmë veten duke ikur, në përpjekje për ti shpëtuar mendimeve që na çmendin. Më tej na ulin performancën, përqendrimin, na bëjnë, shpeshherë, të shpikim gjëra. Mendja fluturon në hapësira misterioze. Më mirë mos ta ndjekim!

Mendimet mund të jenë miqtë dhe, ndërkohë, armiqtë tanë më të mëdhenj. Si me ata miqtë që, deri diku, çdo gjë shkon “fjollë”, të shërbejnë, të ndihmojnë, e pastaj, në ndonjë rrethanë, të fusin në ngjarje të rrezikshme, të manipulojnë, të rrezikojnë. Mendja është shpëtimi dhe rrënimi ynë!

Shpesh e kemi dëgjuar fjalën popullore “Mendja është kokërr gruri”. Populli i referohet, pikërisht, këtij momenti dhe fuqisë që ka mendja, për të bërë ose jo gjëra të caktuara. Ne duhet të mësojmë të njohim këto momente dhe t’i përdorim në funksion të mirëqenies sonë të përgjithshme.

Si është e mundur kjo?

Sigurisht që varet nga inteligjenca emocionale e secilit. Fillon me atë që ne i themi “stakim truri” (në zhargon),  që është “zbrazje” nga mendimet, “zbrazje” e mendjes, çlirim, meditim. Më tej ridrejtim dhe fokusim në gjërat dhe objektivat personalë.

Pse është e rëndësishme?

Nëse nuk mësojmë të kontrollojmë mendimet, ato do të na kontrollojnë ne, duke na krijuar gjurmë të caktuara vulnerabiliteti, sikurse një pikë uji që gërryen shkëmbin.

Problemi i vërtetë nuk është të menduarit, por si të ndalosh së menduari..., sepse truri ynë është i aftë të të shpjerë edhe në skutat më të çuditshme, ku vetëm ngec. Mendja jonë është si balonë. Hape balonën, lëshoje në ajër, lëre ta marrë era, deri diku, pastaj tërhiqe, mblidhe, kontrolloje dhe sigurohu që ajo të kthehet prapë në dorën tënde. Mos e lësho, kurrë, atë fill të hollë! Mos!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: