Dron me flamurin e “Shqipërisë së Madhe” mbi stadiumin e Shkupit, reagon politika

Dron me flamurin e “Shqipërisë së Madhe” mbi stadiumin e Shkupit, reagon politika
Një dron që mbante flamurin e “Shqipërisë së Madhe” fluturoi të djelën në stadiumin e kryeqytetit maqedonas, gjatë ndeshjes mes Shkupit dhe Vardarit.

Flamuri në dron tregonte hartën e Shqipërisë aktuale, por që përfshinte edhe territoret e tjera shqipfolëse përreth saj, duke shkaktuar edhe reagime të politikës maqedonase.

Sipas të përditshmes maqedonase “Vecer” një dron i ngjashëm me të fluturoi edhe mbi stadiumin e Beogradit, gjatë ndeshjes kualifikuese “Euro 2016”, mes Serbisë dhe Shqipërisë, duke u bërë shkak i ndërprerjes së këtij takimi.

Partia VMRO-DPMNE doli me një deklaratë pas incidentit të dronit, në Shkup. “Deklaratat dhe veprimet” e liderit të SDSM, Zoran Zaev, kanë “kontribuar në aneksime të mëdha dhe në irredentizmin shqiptar” në rajon.

Deklarata e përshkruan Zaev si “shkak i shpërthimit të shovinizmit dhe irredentizmit, me qëllimin e minimit të shtetësisë së Maqedonisë,” raporton agjencia MIA. Lajmi i dronit me Shqipërinë e Madhe që fluturoi mbi stadiumin e Shkupit, ka bërë bujë edhe në mediat serbe.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: