Diplomacia ekonomike, intesifikohen raportet me sipërmarrjet e huaja

Diplomacia ekonomike, intesifikohen raportet me sipërmarrjet e huaja
Intesifikohen raportet dhe kontaktet e Tiranës zyrtare me biznesin e huaj. Pjesëmarrje e shtuar në forumet e Shqipërisë me natyrë ekonomike dhe përpjekje e vazhdueshme e përfaqësuesve të saj për të thithur sa më shumë investime të huaja në territorin vendas

***

Eglantina Nasi

Më shumë forume të natyrës ekonomike dhe më shumë dhoma të përbashkëta tregtie mes Shqipërisë dhe vendeve të huaja. Kjo është ajo çka Tirana zyrtare po ofron së fundmi, duke i dhënë kështu mjaft rëndësi asaj që njihet si “diplomacia ekonomike”. E konceptuar si një ndër mënyrat që Shqipëria po përdor për të tërhequr investime të huaja, ajo po gjen zbatim pikërisht në intensifikimin e kontakteve me bizneset e huaja dhe uljen në tryeza të përbashkëta që konkludohen me marrëveshje apo edhe krijimin e dhomave të tyre në vendin tonë. E gjitha kjo, në një kohë kur në rajonin e Ballkanit ka nisur një garë e hapur dhe e fortë për thithjen e investimeve të huaja. Mjafton të kujtojmë eventin e fundit me një natyrë të tillë, zhvilluar në Tiranë më 10 prill 2017, Forumi Ekonomik Shqipëri-Hungari, ku morën pjesë 20 kompani hungareze, i cili u finalizua me nënshkrimin e 5 memorandumeve për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe shkëmbimin e eksperiencave midis bizneseve respektive. Apo edhe Forumi i 3-të Ekonomik Frankofon, zhvilluar po në Tiranë më 23 mars të këtij viti, në kuadrin e Javës së Frankofonisë, i cili konkludoi gjithashtu të njëjtat synime për një forcim të pozitave të biznesit francez që operon në vendin tonë. Kujtojmë sakaq, se në vitin 2013 u krijua edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri, e cila numëron rreth 38 anëtarë, të cilët përfaqësojnë më shumë se 4 mijë punonjës në vend. Ndërkaq, një tjetër event i rëndësishëm i diplomacisë ekonomike si e tillë ka qenë sivjet edhe ai i mbajtur më 12 prill, me biznesin austriak që vepron në Shqipëri, i iniciuar nga “Advantage Austria Albania”, e cila prezantoi edhe rezultatet e një vrojtimi mbi perceptimin e tyre rreth të bërit biznes këtu. Kujtojmë sakaq, se tre vjet më parë, më 20 maj 2014 është zhvilluar edhe Forumi ekonomik Shqipëri-Austri, me pjesëmarrjen e të rreth 70 kompanive austriake, për të cilat Shqipëria rezulton një treg interesant. Ndërkaq, në muajin prill të këtij viti edhe biznesi gjerman që prezantohet në vendin tonë përmes DIHA-s, (Shoqata  Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), organizoi publikimin e rezultateve të anketimit të tyre të fundit mbi avantazhet e të bërit biznes në Shqipëri, në të cilat rezultoi se punonjësit shqiptarë janë ende të pakualifikuar. Ndërsa një vit më parë, (qershor 2016) vetë Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë u angazhuan zyrtarisht, duke firmosur një marrëveshje të posaçme, që të bashkëpunojnë për nxitjen e investimeve gjermane në vendin tonë, si dhe dhënien e mbështetjes së nevojshme për këta lloj investitorësh. Për ta përmbyllur me Forumin Ekonomik Poloni-Shqipëri, i cili u zhvillua në fundvitin e kaluar (9 dhjetor 2016), gjatë punimeve të të cilit, vetë kryeministri Edi Rama, i pranishëm në të, theksoi faktin se duhen shfrytëzuar të gjitha potencialet ekonomike që vendi ynë shfaq për të tërhequr investimet polake.

 

PRANIA

Më shumë Dhoma të huaja Tregtie në Shqipëri

Në Shqipëri po shtohen gjithmonë e më shumë Dhomat e huaja të Tregtisë dhe Industrisë. Kështu, dhomave “tradicionale” të tilla si asaj Amerikane të Tregtisë dhe Industrisë, Dhomës së Tregtisë Italiane, Dhomës Britanike të Tregtisë, apo edhe atyre Greko-Shqiptare dhe Turko-Shqiptare, u janë shtuar së fundmi edhe disa dhoma të reja të rëndësishme sa u përket marrëdhënieve të biznesit që vendi ynë po ravijëzon me vende të tjera në rajon apo më gjerë. Mjafton të kujtojmë këto krijimin një vit më parë të Dhomës së Tregtisë Serbi-Shqipëri, e cilësuar kjo një arritje për bashkëpunimin rajonal si të tillë, në kuadrin e Procesit të Berlinit.

EVENTET

Forume ekonomike për Shqipërinë dhe jashtë saj

Jo vetëm brenda territorit të tij, por vendi ynë ka organizuar së fundmi edhe mjaft forume të natyrës ekonomike në vende të ndryshme të botës. Kështu, mjafton të kujtojmë forumin ekonomik që u zhvillua në Stamboll në 27-28 janar të këtij viti, ku ka qenë e pranishme vetë ministrja Milva Ekonomi, e cila e ftoi biznesin turk të investojë tek ne. Madje, “harta” e eventeve të tilla njohu sivjet edhe një skaj mjaft lindor të saj, siç ishte “Forumi i Investimeve e Tregtisë Singapor-Shqipëri”, ku i pranishëm ka qenë edhe vetë kryeministri Edi Rama, i cili tregoi nga afër mundësitë e shumta për investime që sipas tij, Shqipëria ofron për investitorët ndërkombëtarë të Singaporit. Pa harruar këtu as “Forumin Ekonomik Shqipëri-Gjermani”, zhvilluar në Hamburg, tetorin e kaluar, i cili u përqendrua kryesisht në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Apo dhe Forumin e Investimeve në Abu Dabi, më 14 prill 2015, ku sërish kryeministri shqiptar e paraqiti vendin tonë në fokus të një modeli të ri ekonomik.

BASHKEPUNIMI

“Shkrihen” akujt, Serbia më e pranishme në ekonomi

“Shkrirje” akujsh është komentuar nga të gjithë ajo që ndodhi fundvitin e kaluar, teksa në Nish u zhvillua “Forumi Ekonomik Shqipëri-Serbi”, ku morën pjesë 300 biznese serbe dhe 50 përfaqësues të sipërmarrjes nga Shqipëria. I pranishëm në këtë event vetë kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai lançoi mesazhin e uljes së barrierave të dikurshme mes dy vendeve tona. Sipas tij, Serbia dhe Shqipëria duhet të rrisin më tej bashkëpunimin ekonomik në disa dimensione. Një akt ky që u vlerësua më pas edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë, pikërisht si një qasje e re e vendeve të rajonit, duke nisur së pari nga ekonomia si e tillë. “Nevojitet një plan i përbashkët veprimi për lehtësimin e rrugës së ndërveprimit tregtar dhe ekonomik”, citoi atëherë Rama. Sipas shifrave, në Shqipëri, sot operojnë 100 subjekte serbe, tregtare apo në aktivitet të drejtpërdrejtë, subjekte modeste, por që operojnë në ndërtim, në industri, në turizëm, në shërbime.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: