DIALOGU I “MALËSORËVE” DHE PËRPLASJA PËR ZGJEDHJET E 18 QERSHORIT - Nga EDUARD ZALOSHNJA

DIALOGU I “MALËSORËVE” DHE PËRPLASJA PËR ZGJEDHJET E 18 QERSHORIT - Nga EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Dje nga “Çadra e Lirisë”, Berisha kërcënoi se, në qoftë se do të shkohet në zgjedhje pa PD-në, kjo e fundit do t’i detyrojë kundërshtarët  t’ia mbathin nga Shqipëria me fustane grash, siç bëri Gramoz Ruçi më 1996-ën.

Dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, Gramoz Ruçi ia ktheu përgjigjen, tërthorazi, Berishës, duke iu drejtuar Kryetarit të Kuvendit: “Ju, zoti kryetar, keni katër vjet që drejtoni kuvendin, dhe Saliut i keni dhënë shumë kohë për të folur; ka folur 3 herë më tepër se sa kryeministri.

Ka kufij kjo punë, zoti kryetar! 1 milion njerëzit që na kanë votuar për ta qeverisur këtë vend, po vazhdojnë të shikojnë si na merr peng një çadër që e ka hallin tek vettingu dhe drejtësia.

Përgjigja ime për këtë, është një dhe e vetme: Dialogu ka mbaruar! Ne, socialistët, i kemi bërë llogaritë tona, i kemi patur dhe, po të duam, i kemi 71 vota edhe pa LSI-në (për të zgjedhur Presidentin e Republikës), por shpresoj të mos na detyroni dhe të mos marrim përsipër të shkelim mbi moralin e kësaj force politike”.

Me pak fjalë, Ruçi i tha Berishës se, PS-ja do ta vazhdojë kursin e saj, pavarësisht se ç’thotë ky i fundit në “Çadrën e Lirisë” dhe pavarësisht se çfarë qëndrimi do të mbajë këtej e tutje LSI-ja.

Një përplasje “malësorësh” në distancë. Njëri me origjinë nga Kurveleshi e tjetri nga Malësia e Gjakovës…

Por, njëkohësisht, fjalimi i Ruçit shërbeu edhe si një paralajmërim për Metën, i cili e ka quajtur veten “malësor” Skrapari, gjatë një fjalimi të mbajtur në Çorovodë para dy vjetësh, teksa i dërgonte një mesazh në distancë Doktor Berishës. Paralajmërimi i Ruçit kishte të bënte me ambicien e Metës për t’u bërë President i Republikës. (Ky i fundit dukej se donte të zgjidhej president edhe me konsensusin e PD-së, pas zgjedhjeve parlamentare.)

Si rezultat i këtyre zhvillimeve, LSI-ja mblodhi kryesinë e saj dhe propozoi Petrit Vasilin dhe Ilir Metën si kandidatë për President të Republikës. Ndërsa kryesia e PS-së u mblodh dhe pranoi kandidaturën e Ilir Metës.

Me pak fjalë, duket se zgjedhja e presidentit, në seancën e sotme parlamentare, është vetëm një formalitet.

Me zgjedhjen e presidentit, praktikisht, mbyllet edhe dilema nëse LSI-ja do të futet në zgjedhje, pa pjesëmarrjen e PD-së. Futet apo jo në zgjedhje PD-ja, LSI-ja duket se do të jetë pjesë e tyre.

Me këtë rrugë të zgjedhur nga LSI-ja, legjitimiteti i zgjedhjeve do të sigurohej, nëse mazhoranca rikonfirmon 1 milion votat dhe nëse komuniteti ndërkombëtar i cilëson zgjedhjet si “të mira për kushtet e aktuale”. Në fakt, ambasadori amerikan në Tiranë, gjatë një interviste në Zërin e Amerikës, e dha një sinjal paraprak në këtë drejtim. Ai deklaroi: “Zgjedhjet mund të konsiderohen të ligjshme dhe legjitime, edhe pa pjesëmarrjen e opozitës. Por, të jemi të qartë, të gjithë duhet të biem dakord se, me pjesëmarrjen e opozitës, këto zgjedhje do të ishin më të mira. Ne po punojmë, çdo ditë, për të arritur në këtë përfundim.”

Tani, topi mbetet në fushën e Berishës. Administratori i deleguar i tij në krye të PD-së, Lulzim Basha, bëri këtë diversion në mbrëmje nga “Çadra e Lirisë”: “Sot (dje) është një ditë e dëshpëruar për Edi Ramën, pasi u detyrua të shpallë rivalin e tij president. Ka nënshkruar sot aktin e dëshpërimit. Rama ngriti dosje anembanë botës për Ilir Metën. Ky është pazari i fundit që mban në këmbë aleancën. Presidenti i ri, peng i republikës së vjetër”. Fakti që Basha përdori këtë diversion ndaj aleancës së vështirë Rama-Meta, tregon dëshpërimin e Berishës ndaj largimit përfundimtar të Metës nga roli i ndërmjetësit mes çadrës dhe kryeministrisë.

Basha ripërsëriti, gjithashtu, edhe refrenin e zakonshëm: “Vettingu do të bëhet vetëm pas krijimit të qeverisë teknike dhe zgjedhjet e lira do të zhvillohen pa Ramën kryeministër”, por mbetet të shihet sesi do të reagojë padroni i tij Berisha, ndaj lëvizjeve tronditëse që shkaktuan “malësorët" Ruçi e Meta.

Sot e tutje, duket se fjalën do ta kenë “malësorët”, e jo djemtë e qytetit...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: