DASHURI ME “MALLKIM” - NGA JUELA MEÇANI

DASHURI ME “MALLKIM” - NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

“Të raftë pika! Dreq fëmije!”, - e përkëdheli nëna fëmijën sot, se po luante me top dhe u bë ca pis. Por ka edhe “vdeksh, ishalla!” “Rracë e keqe!” “Të bëfsha gropën!” Madje, ka edhe “t’u shoftë emri!”.

Në qindra këngë e poezi të cilat vlojnë nga dashuria, qajnë vargjet nga ndarjet e lumë baladash nga dashuritë e pamundura dhe ato të rejat, si thikë e mprehtë në mes të gjithë kësaj dashurie, ja ku ia behin, pa pushim, “mallkimet” shqiptare.

Se ne jemi shumë, po shumë të habitshëm! Ekstremisht inkoherentë në dashuri dhe urrejtje! Fjalët e dashurisë i kemi me tepricë, vetëm në këngë e poezi, deri diku, edhe në statuse në rrjetet sociale, por aty ku na dhëmb më fort shpirti, mallkojmë edhe për budallallëqe, për idiotësi, na mungon durimi dhe mallkimi është i pari që shëron.

Një nonsens i madh, sëmundja e komunikimit verbal shqiptar. Më tregoni se në cilin vend të botës, mallkohen ata që duhen, si këtu. Kurrë nuk e kam kuptuar se nga buron mallkimi e nga buron beja.

Një tregues frustrimi i pamatshëm, sepse askush nuk e mohon të mos jetë mallkuar, mirë e mirë, në vogëli nga gjyshja apo nga ajo që i ka bërë kokën, e tani që jemi të rritur, po t’i radhisësh, njëherësh, të gjitha këto mallkime, stepesh edhe me veten, se sa lehtësisht thuhen dhe përtypen.

Ndërkohë, edhe ligjërisht, në perëndim po angazhohen të gjitha burimet sociale, arsimore dhe kulturore, që komunikimi verbal të jetë sa më larg ofendimit, prekjes së dinjitetit, thyerjes së personalitetit.

Fjala budalla dënohet në shumë vende, qartësisht shprehur dhe arsyeja, fyen personalitetin e individit. Imagjinoni që nëna angleze t’i drejtohet fëmijës me këto mallkime se derdhi qumështin, theu një xham, nuk u bind ose mori notë të keqe. Apo një gjyshe franceze, të ofendojë jo fëmijën, por tërë fisin, duke e bërë fajtor për “fëmijën e prapë” si një “racë e keqe”.

Ju që flisni gjuhë të huaja, përpiquni ta imagjinoni. E di që do t’ju vijë edhe për të qeshur, por është vërtetë dukuri kaq e shëmtuar e kaq e dënueshme, sa jashtë kufijve, nëse një nënë apo një baba, gjyshe apo teze, dajë, do të mallkonte në këtë mënyrë, i mituri do të ishte, shpejt e shpejt, i larguar nga familja. Goja e mbrapshtë flet para mendjes, duke harruar se jo të gjithë të miturit mund të logjikojnë se thjesht je mërzitur dhe nuk e ke me të vërtetë. E kur të rritet, e sigurt është që i bërë prind, ky fëmijë do të mallkojë edhe më keq se ti, e nuk do harrojë të të mallkojë edhe ty që i ke marrë fytyrën duke mallkuar nga ballkoni “mos ardhsha aty poshtë se, do të të bëj të vdekur!”?!?!?!?!?

Por, mbi të gjitha, si është e mundur të jemi një popull që vajtojmë me zë të lartë njerëzit që duam e ikin fatkeqësisht nga kjo botë, por kur i kemi ende gjallë, pranë nesh, për hiçgjë, i mallkojmë me “të bëfsha gropën”?

Në një farë mënyre i kemi jetuar sharjet dhe mallkimet në fëmijëri me aq natyrshmëri, sa edhe në pjesën më të madhe të filmave shqiptarë të para viteve ’90, plakat mallkojnë, baballarët e nënat shkulin veshin e godasin në kokë, sikur këto të ishin aq normale dhe edukative, sa trajtohen si pjesë e jetës dhe kulturës shqiptare.

Por një reflektim edhe duhet, mendoj. Jashtë hipokrizisë dhe folklorit, ne, padyshim, i duam njerëzit tanë të afërt e sa koha dhe fati na e lejon t’i kemi pranë, le t’i qortojmë me argumente e le t’i duam me fjalë të ëmbla! Fundja, jeta është aq e shkurtër!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: