BENEFITET E TË QENIT FLEKSIBËL - NGA MERI DISHNICA

BENEFITET E TË QENIT FLEKSIBËL - NGA MERI DISHNICA
NGA MERI DISHNICA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Çdo të thotë të jesh fleksibël?

Në fakt, është e vështirë të përcaktohet. Disa njerëz janë fleksibël kur ndryshojnë planet e darkës, disa në veshje, disa sepse arrijnë të bëjnë sparkatën. Disa janë fleksibël se ndryshojnë bisedë në kohën e duhur. Disa ndërrojnë mendim, por pa ndryshuar bisedë. Disa nuk ndërrojnë as mendim dhe as bisedë. Këta të fundit, janë, tmerrësisht, të mërzitshëm!

Ka një të dhënë shkencore që tregon se të qenit fleksibël, emocionalisht, na ndihmon në shëndetin mendor. Nuk është se sapo zbulova “ujin e ngrohtë”, me këtë që thashë. Kjo dihet, do të thoni ju. Por, në fakt, më shumë sesa mendohet se dihet, thjesht, merret me mend, por kaq pak implementohet në sjelljet tona. Kur, shpeshherë, e gjejmë veten të habitur mes “turmës”, na trembin stimujt e rinj, rrethanat e panjohura, ndryshimet, madje edhe fillimet. Të mësosh të përballesh me këto “të panjohura” në rrugë fisnike dhe krijuese, nuk është e thjeshtë.

Sigurisht, kërkon një lloj përshtatjeje dhe zhvillimi personal. Kërkon të ulësh “muret e tua”, të ndryshosh rregullat që, deri dje, kishe ndjekur. Të mësosh të duash të renë, të shohësh tek ajo zhvillimin, sepse jeta është plot me ndryshime dhe ndonjëherë të duhet të ndalosh, çfarë po bëje dhe të nisesh diçka tjetër.

Të ndryshosh kurs, të ndryshosh mjete. Të kesh aftësinë të jesh fleksibël edhe në kohët më me stres. P.sh., nëse në një situatë të rëndësishme për ty, jo çdo gjë shkon mirë, ajo çfarë duhet të bësh, është të përshtatesh duke gjetur forma të tjera “mbijetese”.

Sepse të ikësh është e lehtë, dhe zakonisht ikin frikacakët. Ikin ata që nuk janë fleksibël. Ikin ata që zgjedhin rrugën më të shkurtër.

Por çështja është të qëndrosh dhe të mos lejosh stimujt e rinj të të prishin ekuilibrin, sepse, nëse fokusohemi vetëm tek luftimi i pengesave të reja që na dalin, ne humbim kohë dhe energji, mund të ulim performancën, mund të humbim një punë, mund të humbim dikë, etj.

Ndaj, çështja është të ecësh me rrjedhën, pengesë pas pengese, duke e fokusuar energjinë në arritjen e përfitimeve personale. Prandaj, duaje ndryshimin dhe mundësitë e reja, madje, edhe sepse, herë pas here, çdo gjë bëhet monotone. Rriti vazhdimisht pritshmëritë, sepse, thjesht, “e mira s’ka fund”!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press