Taksa e pronës, mbi vlerën reale në treg, zbardhen negociatat e qeverisë me FMN

Taksa e pronës, mbi vlerën reale në treg, zbardhen negociatat e qeverisë me FMN
Qeveria ka të paktën dy vite që po zhvillon konsultime me Fondin Monetar Ndërkombëtar për vendosjen e taksës mbi pronën sipas vlerës reale të tregut.

Por në raportin e fundit FMN hodhi dritë mbi disa detaje të kësaj takse të re e cila pritet të fuqizohet në fund të këtij viti.

Sipas Fondit Monetar taksa mbi pronën do të aplikohet fillimisht në katër nga qarqet më të mëdha në vend, konkretisht Tiranë, Durrës, Korçë dhe Fier sipas një sistemi që bazohet në vlerën reale të pronës.

Por pavarësisht kësaj, raporti nuk detajon se si do të llogaritej taksa e re.

Një korrespodencë mes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Ministrisë së Financave zbardh se për FMN vlera e taksës mbi pronën duhet të jetë nga një minimum prej 0.075% të vlerës deri në maksimumin prej 0.15% të vlerës së pronës.

Në dokument, Fondi Monetar i parashtron Financave edhe tre shembuj tipikë të barrës së kësaj takse.

Si rast të parë, FMN sjell vlerën e një banese private, 130 metër katror në Tiranë, me sipërfaqe trualli 500 metër katror.

Nga llogaritë rezulton se taksa mbi këtë pronë arrin 226 euro në vit, apo rreth 32 mijë lekë të reja në vit.

Ndërkohë që për një apartament 65 m katrorë në Tiranë, në një ndërtesë me 10 kate me nga 4 apartamente secila, vlera e taksës së re llogaritet 49 euro në vit, apo rreth 7 mijë lekë të reja në vit.

Ndërsa për një fermë mesatare 1.3 ha fatura vjetore e taksës përmes vlerës së tregut llogaritet 21 euro në vit, apo 3 mijë lekë të reja në vit.

Nuk dihet nëse Ministria do t’i miratojë këto propozime apo do të ketë të tjera, por burime nga Financat thanë se drafti është në fazë hartimi dhe pritet të kalojë në muajin Shtator për miratim.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: