“Shqipëria, burimi kryesor i marijuanës dhe rrugë tranziti për kokainën dhe heroinën në BE”

“Shqipëria, burimi kryesor i marijuanës dhe rrugë tranziti për kokainën dhe heroinën në BE”
Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi orët e fundit raportin mbi luftën kundër prodhimit dhe trafikimit të drogës për vitin 2016 ku e konsideron Shqipërinë vend burimi kryesor i marijuanës, si dhe rrugë tranziti për kokainën dhe heroinën në vendet e Bashkimit Europian.

DASH konstaton se Shqipëria më 2016 u mbush me kultivim marijuane duke përmendur se “pati shtim të plantacioneve”.

“Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të konsiderueshme të marijuanës duke qenë një vend burimi për të dhe një vend tranziti për kokainën dhe heroinën afgane” thuhet në raport.

Sipas DASH, “vendet kryesore me të cilat trafikantët shqiptarë kanë marrëdhënie janë Italia, Greqia, Turqia dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor”.

Nga ana tjetër DASH evidenton se “autoritetet shqiptare raportuan rritjen e numrit të të arrestuarve dhe rasteve të shkatërrimit të plantacioneve me drogë”.

DASH citon edhe shifrat e publikuara nga policia shqiptare të luftës kundër drogës, si sekuestrimi i 30 tonë kanabis më 2016 dhe asgjësimi i 2.5 milionë rrënjëve bimë narkotike.

“Numri i të arrestuarve për trafik droge në kufi është 1,349 persona ndërsa nën hetim janë vënë 273 persona”, vëren Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. /ibna/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: