“Arsimi në botën shqiptare: Historia, e sotmja, perspektiva”

“Arsimi në botën shqiptare: Historia, e sotmja, perspektiva”
Zhvillohet në UAMD, Konferenca Shkencore Ndërkombëtare 

Në mjediset e Fakultetit të Edukimit, tek universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, u zhvillua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Arsimi në botën shqiptare: Historia, e sotmja, perspektiva”.

Ky ishte një aktivitet në 130-vjetorin e Mësonjëtores së parë shqipe.

Qëllimi i saj ishte ofrimi i një debati dhe diskutimi të gjerë e gjithëpërfshirës në lidhje me zhvillimin dhe perspektivën e arsimit në sferën mbarëshqiptare e më gjerë.

Konferenca ishte konceptuar në shtatë sesione tematike, të cilat jepnin mundësi për diskutime në fusha të ndryshme që përmbledh arsimi shqiptar dje dhe sot, sikurse janë; historia, gjuha, letërsia, shkolla si institucion, gjuhët e huaja, si dhe këndvështrime psikologjike e sociale të shkollës dje dhe sot.

Interes të gjerë për konferencën treguan studiues e pedagogë të sferës së edukimit nga të gjitha universitetet shqiptare, publike e private.

Në konferencë kishte kontribut edhe nga studiues arbëreshë të Italisë, si dhe pjesëmarrje të gjerë nga studiuesit shqiptarë të të gjitha trojeve shqipfolëse.

Nëpërmjet punimeve të tyre pjesëmarrësit në konferencë sollën një diskutim të gjerë e gjithëpërfshirës për çështje që shqetësojnë arsimin shqiptar sot. Ata dhanë këndvështrime të ndryshme për zgjidhjen e problematikave të parashtruara.

Konferenca përforcoi mendimin se një arsim e edukim cilësor është detyrim për të kontribuar në forcimin e një shoqërie të mirë e të shëndetshme.

Instituti Albanologjik i Prishtinës i dhuroi bibliotekës së Fakultetit të Edukimit mbi 100 tituj librash.

Përpjekjet e pareshtura të kombit tonë për dituri

Dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof.As.Dr. Jani Sota, tha se në kuadrin e veprimtarive të përbashkëta që zhvillohen në Shqipëri dhe Kosovë nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe Institutit Albanologjik, Prishtinë, “vlerësojmë në mënyrë të veçantë, si një ndër momentet më të rëndësishme të këtij përvjetori jubilar, zhvillimin e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare me temë: “Arsimi në botën shqiptare: historia, e sotmja, perspektiva”, duke synuar të mbledhë së bashku akademikë, studiues dhe profesionistë të shumtë të shkencave të edukimit dhe të shkencave historike dhe ato sociale.

konferenca synonte të nxirrte në dritë përpjekjet e pareshtura të kombit tonë për dituri, arsim dhe shkencë në kushtet e vështira të periudhës së mesjetës, si dhe të evidentonte kontributet e pazbuluara ose të lëna në heshtje nga regjimi i kaluar për arsye të caktuara”.

Për z.Sota, viti jubilar i 130-vjetorit të Mësonjëtores së Parë Shqipe është, nga këndvështrimi i marrëdhënieve bashkëpunuese institucionale-shkencore, një mundësi e mirë dhe një arsye e denjë që të risjellim në kujtesën tonë të përbashkët.

“Qëllimi dhe zhvillimit të kësaj Konference është të nxjerrë në dritë përpjekjet e pareshtura të kombit tonë për dituri, arsim dhe shkencë në kushtet e vështira të periudhës së mesjetës, si dhe evidentojë kontributet e pazbuluara ose të lëna në heshtje nga regjimi i kaluar për arsye të caktuara”, - shtoi ai.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: