A do të jetë Fatmir Xhafaj Ministri i Brendshëm?

A do të jetë Fatmir Xhafaj Ministri i Brendshëm?
Nga Edison Kurani / Independent Balkan News Agency

E premte, 17 Mars 2017

Në Shqipëri janë ndezur polemikat për emrin e ri në krye të ministrisë së Punëve të Brendshme. Kryeministri kandidoi për këtë post, kryetarin e Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi, deputetin socialist, Fatmir Xhafaj. Tani ai kërkon votat e socialistëve që drejton dhe të LSI, aleates në koalicion e cila rreth 13 vjet më parë kur ende nuk ishte shkëputur nga PS, e refuzoi Xhafën për të njëjtin post duke bërë që kandidatura e tij të binte poshtë.

Pasi ka kaluar kaq shumë kohë, nga LSI nuk duket të ketë kundërshti – të paktën zyrtare – për Xhafën ministër të Brendshëm.

Sepse këtë “detyrë” e ka marrë në dorë Presidenti i Republikës, demokrati Bujar Nishani. Ky i fundit deri tani ka hezituar t’i lërë në dorë Xhafës, frenat e ministrisë që dikur e drejtonte edhe ai.

Hezitimi vjen pasi emri i Xhafës është mjaft i lakuar nga shoqëria civile, për shkak se e shohin si të përfshirë në krime të periudhës komuniste.

Ish-të përndjekurit janë hedhur në protesta të premten, kundër Xhafës ministër i Brendshëm. Qindra ish-të përndjekur nga regjimi komunist, marshuan në shenjë proteste përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Me pankarta në duar, të internuarit, të burgosurit, të persekutuarit e regjimit diktatorial iu bashkuan protestës së opozitës në “Sheshin e Lirisë”, ku shprehën revoltën për vrasjen pa gjyq të rreth 6 mijë shqiptarëve në burgjet komuniste, mbi 100 mijë të internuarit në kampet e internimit, për 50 vite me rradhë.

“Mos harroni ata që i vranë. Mos harroni të burgosurit dhe ata që i burgosën. Në krye të tyre është Edi Rama”, ishte mesazhi i tyre.

Për Besim Ndregjonin, kryetarin e Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, Xhafaj nuk duhet të jetë në atë post. Ai thotë se i ka kërkuar presidentit Bujar Nishani të mos dekretojë “veglën e diktaturës Fatmir Xhafa si ministër të Brendshëm”.

Ndregjoni publikon dhe një foto që shihni më poshtë, ku shfaqen ish ministri i Brendshëm i komunizmit Hekuran Isai përkrah Fatmir Xhafës, në atë kohë, hetues në Krujë.

***

Opozita ndërkohë kërkon që Xhafaj t’i rrijë larg ministrisë së Brendshme në këto muaj parazgjedhorë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha të premten se “Shqipëria rrezikon të përdhoset nga një kryeministër nip i Byrosë Politike të Enver Hoxhës.

Sipas tij, Rama “ka vendosur t’i propozojë shqiptarëve për ministër të Brendshëm një nga hetuesit më famëkeq të diktaturës së Enver Hoxhës, një njeri që ka torturuar me duart e tij vajzat dhe djemtë e rinj të Krujës”.

Basha paralajmëron se opozita nuk do të lejojë që Xhafa të bëhet ministër: “I bëj thirrje Fatmir Xhafës të tërhiqet menjëherë nga aventura që ka nisur. Ai nuk do të jetë asnjë minutë ministri i Brendshëm i shqiptarëve”.

***

Kurse në rrjetet sociale, janë të shumtë ata që po e shigjetojnë Xhafën. Duke publikuar dëshmi dhe fakte që sipas tyre provojnë krime hetuesie kur Xhafaj ishte hetues, ata kërkojnë tërheqjen e tij.

Një prej tyre është sot 47 vjeç. Xhavit Koni nga Kruja jeton prej vitesh në Suedi. Ai thotë se e njeh mirë Fatmir Xhafen pasi më 1986 kur ishte 16 vjeç, Xhafa ishte hetues në Krujë dhe sipas tij, përdorte tortura. “Ai ka përdorur tortura çnjerëzore ndaj meje dhe shume tjerëve. Jam gati të vij nga Suedia dhe të përballem me të dhe t’ia them të gjitha në sy çfarë ka bërë”, - sfidon ai.

Një tjetër dëshmi vjen nga Valbona (Duka) Maloku, motra e shkrimtarit të njohur Arben Duka. Ajo ka një tjetër denoncim publik për Xhafën që e cilëson si kriminel të diktatures.

”Nuk harroj 19 maj 1986 kur më internuan familjen ne fshatin Bruz-Mal te Krujës. Kisha pajën (prikën) time që policia ma sekuestroi. Kur kërkova të mi jepnin, më thanë që i kishin nxjerrë në shitje dhe blerës ishte Fatmir Xhafa”, - thotë Duka. Kurse shton: “Babai vdiq në internim nga brenga dhe mbetëm tre fëmijët vetëm. Pas tre javësh më merr në pyetje Fatmir Xhafa duke më torturuar për vëllain tim Arben Dukën”.

Valbona jeton edhe ajo jashtë vendit dhe thotë se është fat që nuk gjendet në Shqipëri. Kurse thekson se “ka shumë për të treguar për torturat” që sipas saj Xhafaj i ka ushtruar ndaj saj.

Presidenti mban pezull ministrin e ri

Fatmir Xhafaj është një ndër emrat kryesorë të PS. Ai ka qenë disa vite ministër Drejtësie. Asnjëherë në media nuk është sulmuar për afera korruptive.

Por puna e tij si hetues në periudhën komuniste dhe një foto me Enver Hoxhën, e kanë prishur imazhin e tij. Vetë Xhafaj nuk i komenton akuzat e shumta të ditëve të fundit. Ai mbetet në pritje që Nishani ta dekretojë. Të njëjtën gjë po bën edhe kryeministri që e kandidoi.

Nga ana tjetër, Presidenti ka njoftuar se do të kryejë verifikim për emrat e rinj, përfshirë Xhafën.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: