Shkëmbimi i papritur/ Olsi Teqja i përket Kukësit, Harrallamb Qaqi zyrtarisht i Kamzës

Shkëmbimi i papritur/ Olsi Teqja i përket Kukësit, Harrallamb Qaqi zyrtarisht i Kamzës
Në ditët e mbetura të merkatos, Kukësi dhe Kamza kanë kryer një shkëmbim përmes një ujdie, që besohet se ka kënaqur të dy palët.

Kështu Olsi Teqja i është bashkuar dje zyrtarisht Kukësit, ndërsa Harrallamb Qaqi do të jetë afrimi më i fundit i trajnerit Ernest Gjoka te Kamza.

Teqja erdhi tek Kamza në muajin gusht, por dëshironte të ishte pjesë e një skuadre me pretendime dhe pëlqehej nga trajneri Armando Cungu.

Nga ana tjetër edhe Qaqi, i cili mbërriti tek Kukësi në qershor 2018, si një prej kërkesave kryesore të ish-trajnerit austriak Pacult, nuk gjeti më hapësirë me largimin e tij dhe dëshironte largimin.

Kjo marrëveshje erdhi edhe si shkak i marrëdhënieve të mira mes presidentëve të ekipeve respektive, Gjici e Qarri.

Kujtojmë se Sebino Plaku gjatë verës iu bashkua Kukësit për Kupat e Europës dhe u kthye sërish te Kamza, në fillim të këtij kampionati.