KUPA E SHQIPËRISË/ Tetë më të mirat, surpriza në Fier e Ballsh!

KUPA E SHQIPËRISË/ Tetë më të mirat, surpriza në Fier e Ballsh!
Kukësi dhe Laçi i mbyllin ndeshjet e para me humbje dëshpëruese. Kryendeshja Tirana-Flamurtari ndërpritet në “Selman Stërmasi” pas 25 minutave të para, për t’u luajtur sot në ora 13:00  

Nga Aranit Muraçi

Bylisi me fitoren 2-0 ndaj Laçit, në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë mund të konsiderohet surpriza më e madhe, por jo e vetme. Kukësi pretendent për titullin kampion dhe me ambicie për të fituar të dy trofetë humbi 2-1 në Fier më Apoloninë dhe po ashtu i duhet të përmbysë shifrat dy javë më vonë. Premtuese ishte fitorja e Vllaznisë ndaj Kamzës në Shkodër, ndërsa pas Partizanit e Skënderbeut, presin me qetësi ndeshjet e kthimit dhe kualifikimin ekipet e tjera si: Teuta dhe Luftëtari.

Surpriza më e madhe ishte fitorja e Bylis ndaj Laçit, me gola te Bytyçit dhe Bajramajt, fitore që vë në  rrezik serioz kualifikimin e kurbinasve për në tetë më të mirat e kupës. Vllaznia që kryeson bindshëm grupin e saj në Kategorinë e Parë, mori një fitore inkurajuese ndaj Kamzës në “Reshit Rusi”. Kamza kaloi e para në epërsi me Mehmetin, por të besuarit e Hasan Likës përmbysën shifrat në pjesën e dytë me anë të Markut dhe Junior. Kualifikimi për të besuarit e Ernest Gjokës mbetet i hapur në ndeshjen e kthimit.  Befasia u shënua në “Loni Papuçiu” të Fierit, aty ku Apolonia pa pretendime fitoi 2-1 ndaj Kukësit të përforcuar gjatë janarit dhe me ambicie për titullin kampion. Ekipi vendas me gola të Gjatës dhe Hysenshahajt siguroi fitoren, ndërsa verilindorët e drejtuar nga Armando Cungu me golin e vetëm që shënoi Et’hemi mbajnë shpresat e përmbysjes së rezultatit në ndeshjen e kthimit. Nuk vuajti Teuta që korri një fitore bindëse 1-3 në fushën e Lushnjës, duke pritur me qetësi ndeshjen e dytë. Kallaku, Vila dhe Prongi realizuan për të besuarit e Bledi Shkëmbit, kurse për vendasit Gjyla realizoi golin e nderit. Pavarësisht situatës së vështirë në kampionat, Luftëtari i Gjirokastrës fitoi 3-0 në Rrogozhinë ndaj Egnatias, duke e pritur me qetësi ndeshjen e kthimit, për një vend në çerekfinale. Ramadani (11-m), Dunga e Rapo ishin autorë të golave për të besuarit e Gentjan Mezinit.

Tirana-Flamurtari, ndeshja më e rëndësishme për një vend në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë që u zhvillua në “Selman Stërmasi”, u ndërpre pas 25 minutave lojë. Trajnerët Ardian Mema dhe Ilir Daja në formacionet e përzgjedhura, preferuan edhe rikthime si ajo e Karabecit titullar e të Ngo tek Bardheblutë, apo të Tomoslav Bushiç, i cili mbante shiritin e kapitenit te Flamurtari. Por Alvesh,   Alla, Kale e Veliu nuk ishin në dispozicion të trajnerit Daja. Tirana në 11 humbi një 11 metërsh me Hasanin, i cili gaboi përballë Koliçit. Për shkak të reshjeve, gjyqtari dhe lojtarët u futën në dhomat e zhveshjes, pas 25 minutave lojë. Gjyqtari Kreshnik Bajramaj vendosi ndërprerjen e ndeshjes.

 

Trajneri i Kamzës, Ernest Gjoka:

“Goli i dytë i Vllaznisë është një gabim njerëzor, që i ndodh kujtdo. Ne këtë ekip kemi, tani nuk mund të bëjmë asgjë, me këtë ekip do të vazhdojmë. Ka probleme, por presidenti Qarri ka garantuar se gjërat do të shkojnë mirë, pastaj problemet me bashkinë na vjen keq që ndodhin. Rikthimi në Shkodër? Për hir të së vërtetës, isha në siklet, sepse miqtë e mi më lajmëruan se do të kishte kontestime. Të gjithë mendojnë se Gjoka ishte pjesë e fatkeqësisë së Vllaznisë, por Gjoka ishte pjesë e fatkeqësisë së vet në Shkodër, fizike dhe profesionale.”

Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika:

“Ekipi u shpërblye për djersën që derdhi në fushë me këtë përmbysje. Na ka munguar fusha në këtë periudhë, sepse kushtet kanë qenë të tilla. Fusha? Si për ne, si për Kamzën, sjell vështirësi, por e rëndësishme është që zhvillojmë ndeshje të mira. Shumica e skuadrave stërviten në terrene me bar artificial. Përforcimet? Ne kemi marrë Krujën, një futbollist shkodran, i cili luajti një pjesë të dytë shumë të mirë. Në Kategorinë e Parë ka skuadra shumë të mira, të forta edhe për ne. Sot bëmë një ndeshje të mirë, por kualifikimi vendoset në Kamzë.”

 

Kupa e Shqipërisë

Grupi A

Kastrioti-Partizani            2-4

Besëlidh. –Skënderbeu  1-2

Egnatia-Luftëtari              0-3

Vllaznia-Kamza                  2-1

Grupi B

Apolonia-Kukësi               2-1

Bylis-Laçi                              2-0

Lushnja-Teuta                   1-3

Tirana-Flamurtari             0-0 (25 minuta-shtyhet)