
***
Aranit Muraçi
Disfata 4-0 me Skocinë në Shkodër duhet harruar. Kjo ka qenë motoja e analizës më të fundit të kuqezinjve para miqësores së sotme me një tjetër ekip britanik, Uellsin. Kërkohet fitore dhe një lojë bindëse, si shpëtim, apo si shenjë për të rikthyer optimizmin te tifozët në rrugëtimin e mëtejshëm. Nga ana tjetër, uellsianët, gjithashtu pjesëmarrës në Francë 2016, vijnë në këtë miqësore pas disa paraqitjeve jo shumë bindëse në Ligën e Kombeve. Kundërshtari i sotëm i Shqipërisë në miqësore, përbëhet nga emra të njohur. Vlen të përmendet Gareth Bale, i cili deri dy ditë pata miqësores ishte në pikëpyetje për të udhëtuar drejt Shqipërisë, për shkak të impenjimeve me klubin e tij të Real Madrid.
Ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve Uellsi e humbi 2-1 me Danimarkën në shtëpi, teksa miqtë përmbysën golin e realizuar nga Bale në favor të vendasve. Trajnerit të Real Madrid, në këtë pauzë kampionatesh në tërë Europën, për shkak të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, prej më shumë se një javë nuk ka pasur në dispozicion pjesën më të rëndësishme të lojtarëve. Vetëm gjashtë nga 11 lojtarët që i janë larguar me përfaqësueset e tyre, i janë bashkuar të hënën stërvitjes.
Duke qenë se Uellsi kishte edhe një ndeshje miqësore me Shqipërinë, tek Real shpresohej dhe te rikthimi i Gareth Bale, por ky i fundit konfirmoi udhëtimin në Tiranë një ditë para ndeshjes. - “Bashkë me ekipin të martën, edhe më të fortë,” konfirmoi uellsiani para miqësores me Shqipërinë. Do të jetë pikërisht prania e yllit të Real Madrid, ajo që pritet të tërheqë edhe më shumë tifozë shqiptarë në miqësoren e mbrëmjes në Elbasan. Një nga mediat sportive më prestigjioze në Spanjë, “AS” ka llogaritur edhe udhëtimin e gjatë të Bale nga Kardifi në Tiranë, plot 4 mijë kilometra, para se ai t’i bashkohet të mërkurën klubit të Realit për të nisur përgatitjet për ndeshjen e fundjavës në La Liga.