Skënderbeu pa rivalë si City e Bayern, më mirë se Barça

Skënderbeu pa rivalë si City e Bayern, më mirë se Barça
Ashtu si në Shqipëri, edhe në Europë ligat kryesore pritet të shpallin kampionët e këtij sezoni

Aranit Muraçi

Skënderbeu kryeson bindshëm 15 pikë para vendit të dytë Kukësit dhe pret i qetë përfundimin e javëve të mbetura për t’u kurorëzuar kampion. Jo vetëm në Shqipëri, pothuajse në të gjitha ligat kryesore përveç Italisë, si në Angli, Gjermani dhe Francë, apo edhe në liga të tjera më të vogla si në Zvicër, gara për titullin kampion është mbyllur shumë më herët se zakonisht. Gara më e fortë për titullin kampion, po zhvillohet në Greqi, Turqi apo edhe në vendet fqinje.

Spanjë

Në Spanjë, kur duhen edhe 9 javë nga mbyllja e kampionatit, Barcelona kryeson 11 pikë para Atletico Madrid dhe 15 pikë larg rivalit shekullor, Real Madrid. Pasi e ka fituar ndeshjen direkte me Atletico 1-0, Barça dhe Messi shihen të pandalshëm në udhëtimin e tyre drejt titullit. Barcelona rikthehet të shtunën në përballjen direkte me Seviljen, në një nga shanset e fundit për ta ndalur, por gati e pamundur për t’i hequr titullin nga duart.

Angli

Manchester City është në pritje të shpalljes matematikisht kampion. Me diferencën prej 16 pikësh, kur mbeten edhe 7 javë nga mbyllja e Premier League, të besuarit e Pep Guardiola kanë lënë të hapur garën për vend të dytë mes United, Liverpool e Totenhem.  Të shtunën, City udhëton në fushë të Everton, ndërsa pritet të shpallet kampion në dy-tre javët e ardhshme.

Gjermani

Edhe në Bundesligë kanë mbetur edhe 7 javë nga mbyllja e kampionatit. Bajern Mynih është shkëputur plot 17 pikë nga ndjekësi më i afërt, Shalke 04. Vendi i dytë që synohet edhe nga Borusia Dortmund mbetet i hapur, ashtu sikurse edhe vendet për zonën Champions. Gara është më e fortë me ekipet që pretendojnë të mbeten në elitën e futbollit gjerman. Rënia ku rrezikojnë Këln e Hamburg, është kthyer në betejën kryesore të këtij kampionati.

Francë

PSG-ja dominon kampionatin francez, duke u shkëputur plot 17 pikë nga vendi i dytë, Monaco, edhe pse me një ndeshje më tepër, kur duhen edhe dy 7 javë nga mbyllja e kampionatit. Me yje që i bleu këtë verë, për plot 400 mln euro si Neymar e Mbappe, në Francë nuk kishte si të ndodhte ndryshe në garën për titullin kampion. Edhe në këtë ligë, gara më e fortë po zhvillohet mes skuadrave që kërkojnë zonën Champions, Lion e Marsejë, dhe atyre që rrezikojnë rënien si Lilë.

Ligat e tjera

Gara mbetet e ashpër në Greqi dhe Turqi

Në Holandë, kryeson PSV-ja Einthoven 7 pikë para Ajaksit; në Belgjikë, Clubbe Brugge ndodhet 6 pikë para Anderlekt; në Portugali, Porto dy pikë para Benfikës; në Greqi, AEK ka 2 pikë më tepër se PAOK, por ndeshja direkte mes tyre u ndërpre prej incidenteve dhe kampionati është shtyrë. Në garë është edhe  Olimpiakos, 4 pikë pas kryesuesve. Në Turqi, Gallatasarai 1 pikë para Instambul Basaksehir dhe 4 pikë para Beshiktash. Në Zvicër, Yong Boys plot 16 pikë para Baselit të Talant Xhakës, megjithëse skuadra e mesfushorit kuqezi ka dy ndeshje ende për të luajtur. Serbia me shkëputjen 12 pikë të Crvena Zvezdës nga Partizani i Beogradit, ka një ngjashmëri sa i takon garës për titullin kampion me Shqipërinë. Në Kroaci dhe Slloveni gara mbetet e hapur, me diferencën e ngushtë që kanë në krye përkatësisht ekipe si Dinamo Zagreb dhe Olimpija Ljubljana.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: