Igli Tare, modeli shqiptar i një suksesi unik

Igli Tare, modeli shqiptar i një suksesi unik
Manuel Gerolin, drejtori sportiv i Udinese-s, thotë se për suksesin e Lazio-s, meritën kryesore e ka dirigjenti shqiptar, duke e vlerësuar kolegun e tij të Seria A, si drejtuesin më të mirë për momentin

Aranit Muraçi

Kur komplimentet vijnë nga kolegët, rivalë direkt, ato janë ndoshta vlerësimi më i drejtë. Kështu drejtori sportiv i Udinese, Manuel Gerolin, ka përgëzuar publikisht kolegun e tij, Igli Tare, duke e përcaktuar si drejtorin më të mirë sportiv të Seria A. Lazio që kur Tare mori drejtimin e këtij klubi, po rritet nga viti në vit, falë merkatos së kujdesshme. Për këtë, një meritë të veçantë ka pasur ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, i cili ka afruar lojtarët e duhur, aq sa këtë sezon, Lazio po konkurron denjësisht për një vend në  Champions League. Manuel Gerolin, drejtori sportiv i Udinese, thotë se për këtë, një punë të madhe ka bërë dirigjenti shqiptar.

“Tare është, me plot gojën, më i miri në rolin e tij! Jo vetëm për atë që ka bërë sezonin e kaluar, por për vazhdimësinë që ka demonstruar gjithë këto vite. Po ndërton një Lazio të madhe.”

Është kjo arsyeja pse Igli Tare, aq shumë i dëshiruar nga disa klube të vendit tonë për të marrë drejtimin e FSHF-së, nuk mund të lejohej aq lehtë nga Lazio. Gjithashtu, edhe nga ana personale, Igli Tare ka ndërtuar një karrierë të shkëlqyer në një prej ligave më të forta në botë, duke u kthyer në një model suksesi, në një vend të njohur si një ndër shkollat më të mira të futbollit botëror. I talentuar si futbollist, duke luajtur ndër ligat më të rëndësishme të kontinentit, Igli Tare, si drejtues sportiv, është ndoshta i vetmi shqiptar sot nga bota e futbollit, që jep leksione suksesi, më tepër për patriotët tij në Shqipëri, sesi ndërtohet e ardhmja e perspektiva e një lojtari dhe një ekipi, sikurse Tare nuk gaboi as me tre shqiptarët e vetëm që afroi te klubi i njohur i Seria A, Lorik Cana, Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha. Askush tjetër si ai, pas ’90, si në klubet shqiptare të futbollit apo në klubet e huaja, nuk ka pasur një sukses apo edhe vlerësime të tilla, madje në një ndër ligat e rëndësishme europiane.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: