Armand Duka, sërish i pakonkurrueshëm?!

Armand Duka, sërish i pakonkurrueshëm?!
Ndizet beteja për kreun e ri të FSHF-së. Pas paralajmërimit më herët të “Albanian Free Press” del në skenë Igli Tare, i cili shihet nga klubi i Flamurtarit si i vetmi kandidat potencial dhe i mundshëm që mund të sfidojë kreun aktual Armand Duka. Por a do të pranojë sfidën drejtori aktual i Lazio-s 

Aranit Muraçi

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit vendosi të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore, e cila do të mblidhet më 7 shkurt në Durrës, ku edhe do të zgjidhet kreu i ri i organizmit të futbollit shqiptar. Deri tani kandidati i vetëm është kreu aktual Armand Duka. Deputeti socialist Bashkim Fino, i përfolur kohët e fundit si kandidat ka pak gjasa kandidimi, pasi përveç se është parë për të ndjekur ndonjë ndeshje të Partizanit, nuk ka bërë asnjë organizim për të qenë kandidat zyrtar kur mbeten edhe më pak se një muaj nga zgjedhjet. Gjithashtu duke qenë se Fino vjen nga politika, ai ka gjasa të pakta triumfi përballë Armand Dukës. Në rast kandidimi dhe humbjeje të mundshme të kreut aktual Duka, mjafton një ankesë e këtij të fundit në UEFA dhe FIFA dhe nisur nga fakti se rivali i tij fitues vjen nga politika e madje nga maxhoranca qeverisëse mund të sjellë automatikisht mosnjohjen e kreut të ri të FSHF-së për ndërhyrje të politikës.

Ndërkohë që kandidatë të tjerë të mundshëm janë në pritje të vendimit nëse do të rikandidojë kreu aktual i FSHF-së, Armand Duka, duke qenë se ai mbetet një kandidat me pozita tepër të forta. Askush nuk kërkon të futet në një garë për të humbur, sidomos pas kualifikimit historik të Kombëtares shqiptare në finalet e Euro 2016.  Pavarësisht se Armand Duka kërkon në krye të FSHF-së mandatin e pestë (2002-2018), ai mbetet gati i pakonkurrueshëm nga çdo kandidat tjetër në Shqipëri. I vetmi klub në vendin tonë me më shumë tituj kampionë dhe me një ecuri më të mirë ndërkombëtare në periudhën e Armand Dukës është Skënderbeu, por edhe është klubi që mbështet më tepër kreun aktual. Çdo kandidat tjetër, ashtu siç ndodhi me disa nga kandidatë e së kaluarës, Refik Halili apo Rudi Vata, e shohin gati të pamundur konkurrimin pasi për më pak se një muaj nuk kanë një kauzë. Të dy kanë pasur apo vazhdojnë të kenë eksperienca drejtimi në klubet shqiptare, si Tirana e Vlalznia, por askush nuk ka treguar një model më të mirë suksesi. Dhe në fakt asnjë klub apo trajner nuk ka asnjë përfaqësues që të tregojë një model të fortë suksesi ndërkombëtar.

Klube si Flamurtari dhe Luftëtari, apo Partizani, ndër më të pakënaqurat me kreun aktual të FSHF-së, Armand Duka janë duke bërë prej kohësh llogaritë për të gjetur një përfaqësues dinjitoz që të bindin edhe klubet e tjera për ta votuar. Drejtori sportiv i Lazio dhe ish-futbollisti kuqezi, Igli Tare, shihet si ndoshta sfidanti i vetëm serioz që mund të futet në garë për postin e FSHF-së. Administratori i klubit të Flamurtarit të Vlorës pas zhvendosjes për përgatitoren në Turqi ka pozuar me Igli Tarem, të cilin e ka takuar Turqi, duke përforcuar dyshimet pas lajmit të “Albanian Free Press” mbi kandidimin e mundshëm të Igli Tares. Mësohet se Sinani i ka kërkuar në emër të klubeve të interesuara kreut aktual të Lazio që të kandidojë për president të ri të FSHF-së. – “Me Igli Taren në Stamboll për merkaton, ndërtimin e strukturave të Flamurtarit dhe jo vetëm…”- ishte mesazhi i Sinanit. Gjithsesi, Igli Tare me një eksperiencë tepër të suksesshme që vazhdon te Lazio, kërkon garanci dhe mbetet të përcaktohet në ditët e ardhshme nëse  do të jetë ai i vetmi kandidat potencial për të pasuar Armand Dukën, pas katër mandatave radhazi në krye të FSHF-së.

Flamurtari/ Idrizi “hidhet” në sulm, akuza ndaj Dukës për zgjedhjet  

Pas publikimit të lajmit se nga 66 anëtarë të Asamblesë së FSHF-së që janë me të drejtë vote për të zgjedhur presidentin e ri, 8 janë shoqata rajonale të futbollit amator që nuk figurojnë të regjistruara në gjykatë, të cilat njihen vetëm nga FSHF-ja, por jo nga organet e shtetit shqiptar. Mbi këtë çështje ka reaguar ashpër administratori i ekipit të futbollit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili thotë se Duka nuk ka moral që të rikandidojë për një mandat të pestë në krye të FSHF. Ai pretendoi se ka kishte marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga miq dhe drejtues klubesh, duke zyrtarizuar lëvizjen e klubeve të pakënaqura për largimin e Dukës.  Sinan Idrizi është shprehur se pas fakteve të publikuara së fundmi, ku shoqata fantazmë kanë të drejtën e votës, atëherë nuk flitet më për zgjedhje në FSHF. - “Megjithatë shokimin më të madh e kam përjetuar me deklaratën e nënkryetarit të FSHF-së, Libohova, i cili thotë së nuk ka asnjë informacion rreth provave që kanë dalë dy ditë më parë. Atëherë si mundet të hyjmë në zgjedhje në këtë situatë? Kjo është vërtet shumë e rëndë,” – tha administratori i Flamurtarit.  “Nuk jam duke folur për një vjedhje votash dhe është duke u njollosur puna jonë. Mund të cilësohet si një skandal i dytë kjo deklaratë, pas provave të dala. Armand Duka është personi i fundit që ka të drejtën morale për të rikandiduar, pavarësisht se fshihet pas suksesit të kombëtares”, është shprehur Sinan Idrizi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: