Panucci i qetë, Italia i siguron Shqipërisë vendin e tretë

Panucci i qetë, Italia i siguron Shqipërisë vendin e tretë
Shqipëria me mungesa të shumta ndaj Spanjës? Christian Panucci i sigurt që e mbyll me festë fushatën ndaj Italisë në “Loro Boriçi”,  pasi llogaritë i dalin që të ruhen pozitat aktuale në Grupin D   

Aranit Muraçi

Dy ndeshjet e mbetura nga mbyllja e fushatës së kualifikuese të botërorit “Rusi 2018”, do të jenë në favor të trajnerit kuqezi, Christian Panucci, për të parë sesa është në gjendje skuadra e tij të përballojë emra të mëdhenj të futbollit botëror. Për një vit do të ketë miqësore, kohë që do t’i shërbejë trajnerit italian të rinovojë ekipin për të nisur fushatën e kualifikueseve “Euro 2020”, me objektivin që është përcaktuar kur ai nënshkroi kontratën në qershor: kualifikimin e Shqipërisë. Panucci mori drejtimin e Kombëtares Shqiptare katër ndeshje para mbylljes së kualifikueseve të botërorit të radhës dhe kishte si objektiv fitoren ndaj Lihtenshejnin, si dhe të shmangte humbjen ndaj Maqedonisë. Vendi i tretë në Grupin D është siguruar dy javë para mbylljes, ashtu sikurse nuk pritet të ndryshojë asgjë sa u përket pozitave që mbajnë skuadrat e  tjera. Vetëm nëse Shqipëria i humb dy ndeshjet e mbetura me rezultat të thellë dhe Izraeli nga ana tjetër i fiton dy ndeshjet e fundit, njërën të sigurt ndaj Lihtenshtejn, kuqezinjtë do të zbresin në vend të katërt. Por sa shanse ka që Spanja të humbë ndeshjen e fundit me Izraelin dhe Italia e Panucci-t lojtar të fitojë ndaj Shqipërisë në Shkodër! Në fakt ndeshjet e parafundit do të jenë përcaktuese. Spanja blindon vendin e parë, Italia siguron zonën “Play-off”  dhe Izraeli vendin e katërt. Shqipëria mbetet e treta, dhe Maqedonia me Lihtenshtejnin blindojnë pozitat që kanë mbajtur gjatë gjithë kualifikuesve. Java e fundit luhet sa për statistikë dhe për vendin e tretë. Shqipërisë i duhet të mos e humbë ndeshjen me Italinë, që nuk pretendon më për vend të parë, vetëm në rast se Izraeli bën “mrekullinë” ndaj Spanjës.  Panucci mësohet se po bën llogari të tjera. Burime pranë stafit kuqezi konfirmuan për “Albanian Free Press” se Panucci i ka gati emrat dhe mungesat apo dëmtimet e fundit, nuk përbëjnë asnjë shqetësim. Kjo për faktin e thjeshtë se Shqipëria nuk ka më pretendime të sfidojë në grup, ashtu sikurse do të ishte e tepër të mendosh që mund të sfidohet Spanja e Italia, me çfarëdo lojtarësh që të zbresin  në fushë. Gjatë kësaj kohe Panucci është duke studiuar dhe po kontakton dy-tre lojtarët e fundit, që do t’i duhet t’i ketë ndaj Spanjës dhe Italisë. Kjo për shkak të mungesave të shumta. Amir Abrashi, mesfushori i Frajburg, do të mungojë për arsye dëmtimi. Edhe Bekim Balaj vazhdon të jetë i dëmtuar. Djimsiti e Agolli kanë gjithashtu probleme të lehta dëmtimi, por shpresohet rikthimi i tyre. Mungesat më të mëdha, në ndeshjen e radhës ndaj Spanjës, janë ato të mbrojtjes: Mërgim Mavraj, Burim Kukeli dhe Odise Roshi, të skualifikuar për arsye kartonësh. Ndaj një kundërshtari si Spanja, Panucci i duhet të gjejë emrat zëvendësues për mbrojtjen. Pritet debutimi i Ivan Balliut ndaj Spanjës, rikthimi i sigurt i Taulant Xhakës dhe i Ergys Kaçes, gjithashtu në plane është edhe ai Naser Alijit.  Nga burime të sigurta pranë stafit kuqezi, do të ketë edhe të rinj.

 

Lista gati, Xhaka e Kaçe rikthimi i detyrueshëm 

Lojtarët që Christian Panucci ka planifikuar të rikthejë apo që do të ketë në dispozicion për të luajtur edhe si titullarë ndaj Spanjës e Italisë, për shkak të mungesave janë: Taulant Xhaka (Basel), Ergys Kaçe, (Paok), Naser Aliji (Vereinslos), Valdet Rama (Yanbian Funde), Ivan Balliu (Metz), Hysen Memolla (Hajduk Split), Liridon Latifi (Pushkash, Valon Ahmedi (Maribor) Hungari), Albi Alla (Kukësi), Ylber Ramadani (Velje). E sigurt është konfirmimi i Memollës, Balliut e Ahmedit, ashtu sikurse rikthimi i Taulant Xhakës dhe Ergys Kaçes. Të tjerët, sipas roleve, do të përshtaten me listën që Panucci është drejt përpilimit, para se të nisë ftesat.

 

Bare, Abazaj e Çekiçi, herët a vonë në kombëtaren A    

Kristal Abazaj (Luftëtari), Kejdi Bare (Atletico Madrid) dhe Endri Çekiçi (Dinamo Zagreb) janë tre lojtarë të ekipit U-21, si emrat më potencialë që mund t’i bashkohen Kombëtares A, për shkak të emergjencës. Bare me gjasa që këtë tetor. Megjithatë, Redi Jupi, ish-trajner i këtyre lojtarëve pranon për “Albanian Free Press” se janë të tre lojtarë kandidatë për Kombëtaren A. “Po janë të tre emra që mund të bëhen fare mirë pjesë edhe e ekipit të parë.  Panucci është ai që vendos. Ata janë të rinj dhe mund të bëhen pjesë në një të ardhme tjetër. Mendoj se trajneri ka emra të mjaftueshëm në dispozicion, pavarësisht mungesave,” – thekson Redi Jupi.

 

Kualifikueset e Botërorit, Rusi 2018 

6 tetor

Itali-Maqedoni

Liechtenstein-Izrael

Spanjë-Shqipëri

9 tetor

Shqipëri-Itali

Maqedoni-Liechtenstein

Izrael-Spanjë

Klasifikimi

Spanjë                 22

Italia                    19

Shqipëria            13

Izraeli                  9

Maqedonia         7

Liechtenstein     0

Shpërndajeni me miqtë tuaj: