
Sipas medieve italiane, tifozi shqiptar është vënë në pranga nga njësia e specializuar DIGOS dhe ai akuzohet për shkelje të rregullave në manifestime sportive.
Tifozi është identifikuar nga agjentët e kuesturës italiane përmes imazheve të sistemit të kamerave të sigurisë të stadiumit. Ndërkohë mësohet se janë identifikuar edhe 77 tifozë të tjerë të kombëtares shqiptare, të cilët janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se janë përfshirë në hedhjen e fishekzjarrëve dhe tymueseve mbrëmjen e djeshme në “Renzo Barbera”.
Gjithnjë sipas shtypit italian, kombëtarja shqiptare rrezikon një gjobë të rëndë nga UEFA dhe me shumë gjasë edhe pezullimin për të mos luajtur në fushën e saj takimet e ardhshme eliminatore.
Gjyqtari slloven Vinçiç e ndërpreu ndeshjen në minutën e 57-të, pasi në tribunën e tifozëve të ekipit shqiptar, nisën të hidheshin në fushë shashka dhe tymuese.
Një punonjës i sigurisë që ndodhej në këtë sektor është lënduar lehtë, pasi një shashkë i shpërtheu pak metra larg. Ai u transportua menjëherë në spital, por për fat të mirë nuk pati asnjë problem me shëndetin. /e.a/afp.al/