Kur “burri” bën selfi-je

Kur “burri” bën selfi-je
nga Juela Meçani

Ndalova të pi një çaj. Ishte ditë e bukur! Po them çaj se më është bërë e padurueshme fraza “të pi një kafé”. E le të jem me trendin e fundit që dikton se për të qenë “fisnik” apo “në modë” duhet të jesh ca “english” e të pish çaj, mundësisht bio.

Marr të lexoj gazetën ku po më lexoni dhe ju tani, e po më shijonte shumë, sepse binte një diell i bukur dhe ish-blloku dukej çuditërisht i qetë. Përballë meje, një bar ku të rinj e të reja ishin ulur jashtë. Hera-herës ngrija kokën nga leximi dhe shikoja ca krahë që ngriheshin, ca shkopinj që zgjateshin. Nga ajo largësi dukej si një cirk lëvizjesh që nuk ndaleshin. U kristalizova menjëherë. Ishte “selfie time”. Qesha me veten dhe vazhdova leximin.

Një grup, vetëm me djem, hynë në barin ku isha ulur në qetësi dhe më prenë leximin me zhurmshëm.

Sa rregulluan karriget, sa gjetën pozicionin e duhur të diellit, sa vëzhguan a dukeshin apo jo nga rruga, e sa zgjodhën prapaskenën e përshtatshme, u deshën ca minuta. Mendova se për çfarë iu desh gjithë ky proces i gjatë.

Menjëherë e mora përgjigjen. Duart prej majmuni në cirk, filluan të ngrihen, pa u zgjat edhe një shkop kinez tregu çam, pa u ndërrua dhe smartphone se u gjet i duhuri, pa u krye edhe procesi i filtrave dhe efekteve në Snapchat dhe Instagram.

U hoqën xhupat, u veshën xhupat, u lyen dhe buzët me zbutës pale, u bë foto me kapuç e pa kapuç, në të gjitha profilet. Pa u morën edhe pozicionet sipas vaftit, ai i egri mashkullor (gang style ), ai i modelit të sprovuar me shikim nga lart poshtë, ai i garipit të lagjes me krahun hedhur shokut, njëri pas tjetrit, sikur po kërcenin vallen e “hajdutit”.

E në fund, pas rreth gjysmë ore  procesi të mundimshëm, u ra dakord për një nga fotot që me lejen e të tërëve, duhej të publikohej. E mos flasim për procesin pasues, atë të numërimit të “like-ve” sa, kush, ajo, ai, pse, pse jo.

E di. Do të thoni, po ty çfarë të duhet. E vërtetë që është dukuri, tashmë, rutinë në jetën e qejfit e të çlodhjes kjo. Por ju lutem, ma lejoni të ndiej një krisje në tru e në memorie, kur shoh “burrat” e nesërm të spërdridhen si modelet e sotme! A është paragjykim ky i imi? Po ore, është. Por le ta kem një paragjykim si ky. Fundja kam një arsye të jem e qetë se kam vajzë vetë e nuk kam siklete. Por asgjë estetike, asgjë kulturalisht të pranueshme, asgjë frytdhënëse për këta të rinj, nuk shoh dot në ca duar të zgjatura “burrash të ardhshëm” që supozohet, do të mbajnë mbi shpatulla peshën e jetës, pastaj atë të familjes së origjinës, e dashtë Zoti atë të familjes së tyre të krijuar rishtazi! Mos flasim pastaj për shoqërinë, qeverinë, ekonominë, kombin.

Si mundet që konkurrenca e tyre me femrat, të jetë shtyrë aq shumë, sa edhe në këtë dukuri tipike femërore, - që falet sepse pak narcizëm tek femra nuk bën dëm, - djem të shkolluar ose jo, pa asnjë diferencim social ose ekonomik, të kenë qëllimin e vetëm, dukjen e pamjes, veshjes së re, modelimin e flokëve.

Oh, ju lutem, mos! Jemi të ngjashëm, por jemi të ndryshëm. Le të kemi disa diferenca të shëndetshme! Luftojmë çdo ditë të kemi të drejta, por mos i kalojmë limitet, deri aty sa është gjinia tjetër që po na imiton. Të barabartë në të drejta, në detyrime, por jo në zakone sjelljeje narcizmi. Ashtu siç thoni kur veshim kostume mashkullore dhe ndezim puro me mente “iii, ajo si burrë!” nuk duhet të arrijë puna deri aty sa të rrethohemi nga “burra” me stil të kopjuar nga gratë e shtëpisë. Të barabartë, por të ndryshëm, dashtë Zoti!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: